Dom Mark Pashkja mesazh për Pashkët: Një besimtar i mirë nuk mund të jetë asnjëherë i korruptuar
Në kohën e festës së Pashkëve, e cila simbolizon ringjalljen dhe shpresën, del në pah një reflektim i thellë mbi rolin e besimit në shoqërinë moderne. Përtej kremtimeve rituale, mesazhi thelbësor i besimit të krishterë përmban parime të forta që, nëse zbatohen me vërtetësi, mund të shërbejnë si një busull morale për individin dhe shoqërinë.
Për të folur më tepër për këtë temë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora news", ishte Dom Mark Pashkja zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri.
"Duhet të them që në shekullin e dytë, të tretë ekziston një letër shumë e shumë e vjetër që tregon në një farë mënyre, në këtë rast meqë janë Pashkët katolike po flasim për të krishterët, që tregohet ID-ja si të thuash, identiteti, kush janë të krishterët.
Të krishterët janë ata që jetojnë në botë sikur të mos ishin të botës, por e duan botën. Do të thotë e duan vendin, duan ambientin, realitetin ku jetojnë.
Dhe në këtë aspekt, kur kemi një besim të jetuar në mënyrë të drejtë, individuale dhe të shprehur në bashkësi, në këtë rastin tonë në Shqipëri janë institucionet fetare, atëherë automatikisht edhe shoqëria vetë ka përfitim. Por gjithmonë kur bëhet fjalë për një besim të jetuar në mënyrë të drejtë e të vërtetë, jo kur besimi pastaj përdoret për qëllime të tjera ose po prej interesa personale.
Dhe në këtë rast, Pashka duke qenë se në sensin e vet është kalimi i Jezusit nga vdekja në jetë, do të thotë ringjallja, na jepim këtë mesazh të jashtëzakonshëm që do të thotë ajo që ishte, mendohej se është e pamundur, do të thotë kalimi i dikujt nga vdekja në jetë, që deri në kohën e Krishtit ishte e pamundur.
Tashmë nuk është më e pamundur, por është plotësisht i realizueshëm dhe në këtë aspekt, besimi është në një farë mënyre garancia absolute që ndoshta atë çka nuk mund ta bëjnë ligji, nuk mund ta bëjnë institucionet, është ndërgjegjja personale që shprehet si vepër konkrete në jetesën e shoqërisë. Një besimtar i mirë nuk mund të jetë i korruptuar, një besimtar i mirë nuk mund të vjedhë, një besimtar i mirë nuk mund të keqpërdorojë ato që janë në një farë mënyre të, po themi në logjikën ekonomike, taksat apo të mirat e përbashkëta.
Dhe në këtë aspekt, duhet një filtrim i jashtëzakonshëm i i këtij mesazhi të krishterë apo një një mesazhi të një besimi tjetër, në mënyrë që prej veprimtarisë së besimtarit të jetë përfituese gjithmonë e gjithë shoqëria. Gjithmonë duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Kur kemi një person që, do të thotë, është i, është i korruptuar apo shprehet me një fjalë besim, kjo nuk është një besimtar i vërtetë", u shpreh Pashkja.
Ndiqni intervistën e plotë:
