Dëshmi ngjethëse nga Depresioni i Madh

Dëshmi ngjethëse nga Depresioni i Madh
“Nëna emigrante”, Nipomo, Kaliforni, mars 1936, foto nga Dorothea Lange

Ka gjasa ta keni parë këtë fotografi dhjetëra herë, të shpërndarë në rrjete sociale, në libra, apo ekspozita, shpesh me përshkrime të pasakta ose të cunguar. Por pak herë ndalemi për ta lexuar vërtet, për ta dëgjuar heshtjen e saj. E kam risjellë këtë imazh jo vetëm për ta kujtuar, por për ta rivendosur në kontekstin e tij njerëzor, shoqëror dhe artistik, si një dëshmi e thellë e periudhës më të errët të historisë amerikane, asaj që historia e njeh si Depresioni i Madh.

Këto gra, që sot nuk jetojnë më pas 89 vitesh, mbeten të pavdekshme përmes këtij imazhi që shënoi një pikë kthese në historinë e fotografisë dokumentare. “Nëna emigrante” nuk është thjesht një portret; ajo është një metaforë e qëndrueshmërisë njerëzore përballë shkatërrimit ekonomik dhe shpresës që nuk dorëzohet. Kjo fotografi u bë emblemë e Depresionit të Madh dhe simbol i ndjeshmërisë sociale që Dorothea Lange i dha artit të fotografisë.

Dorothea Lange (26 maj 1895 – 11 tetor 1965) ishte një nga fotografet më të rëndësishme të shekullit XX, e angazhuar në dokumentimin e realitetit social të Amerikës gjatë viteve të krizës. Përmes objektivit të saj, ajo i dha fytyrë dhimbjes, shpresës dhe dinjitetit të njerëzve të zakonshëm. Subjekti i fotografisë së saj më të njohur ishte Florence Owens Thompson (1 shtator 1903 – 16 shtator 1983), një grua e varfër, nënë e shtatë fëmijëve, që përballej me pamundësinë për t’u ushqyer dhe mbijetuar në kampet e punëtorëve sezonalë në Kaliforni. Biblioteka e Kongresit e ka titulluar fotografinë: “Mbledhësit e varfër të bizeleve në Kaliforni, nëna e shtatë fëmijëve”.

Në këtë imazh, fytyra e Florence-ës është e rrudhur nga lodhja, por sytë e saj janë të kthjellët dhe të ngulur në një horizont të padukshëm, tej ku fillon shpresa. Dy fëmijë e mbështesin kokën mbi shpatullat e saj, duke fshehur fytyrat, sikur ta mbronin veten dhe nënën nga vështrimi i botës. I treti është në prehërin e saj, një trup i vogël që kërkon siguri në një realitet të pasigurt. Është një moment i ngrirë ndërmjet mjerimit dhe krenarisë, një akt i heshtur që flet për dinjitetin në mes të mjerimit.

Vetë Dorothea Lange e kujton kështu momentin e shkrepjes:

> “E pashë dhe iu afrova asaj në mënyrë të pavetëdijshme, si e tërhequr nga një magnet. Nuk mbaj mend si ia shpjegova praninë time apo aparatin tim, por mbaj mend se ajo nuk foli shumë. Bëra pesë shkrepje, gjithnjë më afër, gjithnjë më thellë. Ajo më tha vetëm moshën e saj – tridhjetë e dy vjeçe – dhe se po jetonin me perime të ngrira nga fushat përreth. Kishte shitur gomat e makinës për të blerë ushqim. Atje, në atë tendë të varfër, ajo më lejoi ta fotografoja, sikur të kuptonte se këto pamje mund të ndihmonin.”

Ato pesë shkrepje e shndërruan momentin në një ikonë të përjetshme. Nëna emigrante nuk është vetëm një fotografi e varfërisë, por një testament i forcës njerëzore dhe i dhimbjes universale. Dorothea Lange dhe Florence Owens Thompson, pa e ditur, shkruan bashkë një kapitull të artit dhe ndërgjegjes shoqërore amerikane — një dëshmi e rrënqethshme që vazhdon të na kujtojë çmimin e krizës, por edhe madhështinë e qëndresës njerëzore në kërkim të dinjitetit.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET