Dashuria si tabernakull, një shenjtërim i ndjenjës sipas Paolo Mantegazzës

Dashuria si tabernakull, një shenjtërim i ndjenjës sipas Paolo

Në një epokë ku pasioni shpesh reduktohet në një afeksion të shpejtë dhe ku lidhjet marrin trajta gjithnjë e më të përkohshme, fjala e Paolo Mantegazzës na vjen si një përkujtim solemn mbi kuptimin e dashurisë si akt i përkushtuar dhe si tempull i ndjenjës së shenjtë.

Në librin e tij “Fiziologjia e dashurisë”, Mantegazza nuk i shmanget as nxehtësisë së pasionit, por e vendos atë në një kornizë të përsosmërisë morale dhe estetike, duke kërkuar një dashuri që ngrihet përmbi instinktin dhe e ushqen shpirtin.

Ai e trajton dashurinë jo thjesht si ndjenjë apo ndodhi intime, por si një arkitekturë shpirtërore që duhet ndërtuar me duar të pastra dhe me qëllime fisnike.

Sipas tij, nëse ajo është vërtet “gjëja më e shenjtë e jetës”, atëherë nuk mjafton ta përjetosh si kënaqësi, por duhet ta nderosh si sakrificë, si tempull që duhet gdhendur me delikatesën e artit dhe me përkushtimin e zjarrit të pasionit.

Ky vizion i Mantegazzës është një ftesë për t’u bërë jo vetëm dashnorë, por edhe mjeshtër të ndjeshmërisë, arkitektë të një bote të ndërtuar mbi ndjenjat më të holla e më të larta.

Figura që ai përdor, dashuria si tabernakull, si çerdhe që duhet endur me “baret më aromatike dhe lulet më të bukura” – është një metaforë e përkryer e aspiratës për një ndjenjë që është përkushtim dhe jo përdorim, që është rritje dhe jo konsumim.

Ai e kundërshton hapur idenë e një dashurie të lindur mes ligështimit dhe fajeve, duke e krahasuar atë me një organizëm të sëmurë, një dashuri që “jeton një jetë të sëmurë nga skrofulla dhe rakitike”.

Është një gjuhë e fortë, por e vërtetë në thelbin e saj, sepse çdo ndjenjë që nuk ngrihet mbi respektin dhe dinjitetin është e destinuar të shterojë, të degradojë në përdorim dhe dhimbje.

Mantegazza nuk ka iluzione për botën që e rrethon, ai pyet me trishtim nëse një dashuri e tillë, ideale, “do të jetë përjetësisht një ëndërr”.

Por në këtë pyetje ka edhe një sfidë të heshtur për ne: A do të guxojmë ta ëndërrojmë ende një dashuri të denjë për të qenë njerëzore? A do të pranojmë që mjeti i vetëm për të ndrequr njeriun të jetë dhimbja, apo do të mësojmë një ditë ta edukojmë atë me dashuri?

Ky tekst nuk është thjesht një përsiatje poetike mbi pasionin, por është një thirrje për një etike të ndjenjës, një përpjekje për të lartësuar dashurinë mbi harlisjen, për ta bërë atë një vend të vërtetë takimi midis shpirtit dhe botës.

Në një kohë kur lidhjet shpesh janë pasqyrë e mungesës së përgjegjësisë dhe e nevojës për arratisje, Mantegazza na mëson se dashuria është akt ndërtimi, dhe se vetëm ndërtimet që bëhen me material të mirë, me dorë mjeshtërore dhe me përkushtim të përulur, qëndrojnë në kohë.

Nëse e pranojmë se dashuria është "sythi më i çmuar", atëherë duhet të mësojmë ta mbështjellim me përkujdesjen e duhur, ta ruajmë nga ftohja, ta ngrohim me përkushtim dhe t’i afrohemi me heshtjen dhe delikatesën e një të shenjteje.

Dhe nëse bota nuk e arrin këtë, atëherë ndoshta s’është faji i dashurisë, por i mungesës sonë për ta kuptuar dhe për ta përjetuar siç duhet atë.

EMISIONET