Dashuria jo thjesht si zotërim, por shpëtim i vetvetes

Dashuria jo thjesht si zotërim, por shpëtim i vetvetes

Ka një dashuri që është e tillë, jo diçka tjetër, që nuk lind për të takuar tjetrin, por për të shpëtuar veten përmes tij. Ajo nuk kërkon praninë e tij si përjetim, por si garanci, jo si zgjedhje, por si mbështetje pa të cilën duket se gjithçka shembet. Në këtë trajtë, dashuria zhvendoset nga marrëdhënia te mbijetesa. Ai nuk është thjesht i dashuri, por dëshmia që unë vlej, që unë nuk jam i/e braktisur, që ekzistoj në sytë e dikujt. Kështu, lidhja kthehet në një mekanizëm shpëtimi, jo thjesht zotërim i tij, por përpjekje e dëshpëruar për të shpëtuar vetveten përmes mbajtjes së tij me çdo kusht.

Ideja se “gratë dashurojnë tepër” është më shumë një pasqyrë e mënyrës si kemi mësuar të rrëfejmë dashurinë, sesa një e vërtetë e pastër psikologjike. Ajo që shpesh quhet “tepri” nuk është një tepricë ndjenje, por një përzierje e ndërlikuar mes nevojës për lidhje, frikës nga humbja dhe një identiteti që kërkon të mbështetet te tjetri për të qëndruar në këmbë.

Në gjuhën e "Teoria e lidhjes", e artikuluar nga John Bowlby dhe e thelluar nga Mary Ainsworth, kjo gjendje nuk përkufizohet si “dashuri më e madhe”, por si një stil lidhjeje ankthioze. Është një mënyrë e të qenit në marrëdhënie ku dashuria përjetohet si rrezik i vazhdueshëm, mund të humbasë, mund të të lërë, mund të mos mjaftojë. Prandaj ajo mbahet fort, nganjëherë me një ngulmim që e shndërron përkujdesjen në kontroll, përkushtimin në sakrificë të vetes, dhe afërsinë në varësi.

Kjo është arsyeja pse intensiteti shpesh keqkuptohet si thellësi. Në fakt, intensiteti është një gjendje e ngarkuar emocionale, thellësia është një strukturë. Intensiteti shpërthen, thellësia qëndron. Intensiteti kërkon, thellësia jep pa u zhdukur. Kur një marrëdhënie ndërtohet mbi ankthin, ajo bëhet një cikël i përsëritur, afrim i fortë, frikë nga humbja, përpjekje për ta siguruar tjetrin, zhgënjim, dhe sërish afrim edhe më i fortë. Kjo nuk është dashuri që rrit, por një mekanizëm që mban gjallë varësinë.

Ajo që përshkruan Robin Norwood në librin "Women Who Love Too Much" nuk është një “fuqi e jashtëzakonshme dashurie”, por një model i përvetësuar ku vuajtja romantizohet si provë ndjenje. Kur dashuria fillon të matet me atë që duron, shpërfilljen, mungesën, dhunën emocionale, atëherë kemi kaluar nga lidhja në sakrifikim të vetes. Dhe sakrifikimi i vetes nuk është akt dashurie, është shpesh një strategji për të mos u ndjerë i braktisur.

Në këtë pikë, pyetja “nëse nuk është dashuri, çfarë është?” bëhet më e kthjellët,

është një përpjekje për të garantuar dashurinë përmes vetë-shuarjes. Është një investim emocional ku individi nuk kërkon vetëm tjetrin, por kërkon të shpëtojë veten përmes tij. Partneri nuk dashurohet si realitet, por si mundësi shpëtimi, si projekt që duhet rregulluar, si premtim që duhet mbajtur gjallë me çdo kusht.

Këtu lind edhe iluzioni më i rrezikshëm, “nëse jap më shumë, ai do të ndryshojë”. Në të vërtetë, kjo nuk është dashuri ndaj tjetrit, por një negociatë me frikën se “nëse jam e pazëvendësueshme, nuk do të më braktisë”. Dhe kështu, marrëdhënia kthehet në një fushë prove, jo në një hapësirë përjetimi.

Dashuria, në kuptimin e saj të pjekur, funksionon mbi një logjikë tjetër. Ajo nuk kërkon të mbushë boshllëqe me ngut, por të ndërtojë një prani të qëndrueshme. Nuk kërkon të shpëtojë, por të takojë. Nuk e zhduk kufirin mes “unë” dhe “ti”, por e respekton atë si kusht për afërsinë. Sepse vetëm aty ku individi nuk humbet veten, mund të zgjedhë tjetrin në mënyrë të lirë.

Prandaj, ajo që shpesh etiketohet si “dashuri e tepërt” nuk është një tepricë dashurie, por një mungesë sigurie që vishet me gjuhën e dashurisë. Dhe kjo nuk është çështje gjinie. Është çështje historie personale, përvoje emocionale dhe mënyre se si kemi mësuar të lidhemi.

Në fund, dallimi është i thjeshtë në formulim, por i vështirë në jetim, dashuria e pjekur thotë “të dua pa u humbur”, ndërsa ajo që quhet “dashuri e tepërt” shpesh thotë “po humbas që të mos të humbas ty”.

Dhe pikërisht këtu qëndron kufiri i padukshëm mes dashurisë dhe varësisë. Kur tjetri bëhet mjeti për të mos u rrëzuar brenda vetes. Sepse asnjë marrëdhënie nuk mund të mbajë peshën e një shpëtimi që i përket individit. Dashuria që kërkon të shpëtojë veten duke mos lëshuar tjetrin, në fund shteron të dy. Ndërsa dashuria e pjekur lind kur shpëtimi nuk kërkohet më jashtë, kur prania e tjetrit nuk është kusht për të qenë, por zgjedhje për të ndarë qenien. Vetëm atëherë, lidhja çlirohet nga ankthi i humbjes dhe bëhet hapësirë lirie, ku askush nuk mbahet me çdo kusht, por të dy qëndrojnë sepse duan të jenë të rëndësishëm për njëri-tjetrin pa kaluar kjo përmes domosdoshmërisë.

EMISIONET