Charles Baudelaire për Edgar Poe, gjeniu i errësirës dhe pasqyrimi i shpirtit, dy shpërthime krijuese përballë

T’i vësh përballë Charles Baudelaire dhe Edgar Poe, të rrëmosh në thellësinë e këtyre shtjellave të potershme mendimi dhe krijimi, është një ndeshje titanësh, një zemëratë që zgjohet nga thellimi i kohës e kërkon të kërdisë mendimin, idesë t’i kumtosh shkas dhe fjalën ta mprehësh në teh vetëtimash.
Marrëdhënia mes Charles Baudelaire-it dhe Edgar Allan Poe-s nuk është thjesht një kapitull i historisë letrare; ajo përbën një akt themelor të ndërgjegjes moderne mbi artin, një përballje shpirtërore ku një krijues njeh veten në pasqyrën e errët të një tjetri. T’i vësh përballë këta dy emra nuk do të thotë të krahasosh dy stile apo dy biografi, por të ndjekësh një vijë të fshehtë mendimi, ku estetika, ankthi, racionaliteti dhe tmerri ekzistencial shndërrohen në një të vetme: në një vizion për artin si akt i skajshëm i vetëdijes njerëzore.
Për Baudelaire-in, Edgar Poe nuk ishte një autor amerikan i largët, por një zbulim tronditës, një provë se gjeniu i vërtetë nuk njeh kufij kombëtarë, por vetëm intensitet shpirtëror. Ai e lexoi Poe-në jo si lexues i zakonshëm, por si një shkrimtar që njohu menjëherë një vëlla në fat dhe në mallkim. Në parathëniet dhe esenë e tij mbi Poe-në, Baudelaire ndërton figurën e një artisti absolut, të ftohtë në mendim, të saktë në formë, por të zhytur në humnerat më të errëta të psikikës njerëzore. Poe, në sytë e tij, është paradoksi i përkryer: një matematicien i ankthit, një arkitekt i frikës, një poet që nuk dorëzohet kurrë ndaj kaosit, por e disiplinon atë me një rreptësi pothuajse shkencore.
Kjo është pika ku admirimi i Baudelaire-it shndërrohet në teori estetike. Ai e sheh Poe-në si mishërim të asaj që vetë kërkon, artin e pastër, të çliruar nga morali didaktik, nga sentimentalizmi banal dhe nga iluzioni se letërsia duhet të shërbejë si ngushëllim. Përkundrazi, Poe përfaqëson artin si tronditje, si përvojë kufitare. Leximi i tij, thotë Baudelaire, kërkon një vullnet të përgatitur për të përballuar të tmerrshmen dhe për ta pranuar bukurinë e saj. Ai nuk të fton të pushosh, por të zgjohet; nuk të jep paqe, por vetëdije.
Këshilla e Baudelaire-it ndaj lexuesit të Poe-s është, në thelb, një paralajmërim filozofik: hyrja në këtë univers kërkon disiplinë shpirtërore. Ose duhet ta lexosh Poe-në me ndërprerje, siç i afrohet njeriu një zjarri në dimër me duar të mpira, ose duhet të rrezikosh gjithçka dhe ta përpish veprën me një frymë të vetme, duke u zhytur pa rezerva në labirintin e frikës, obsesionit dhe vetmisë. Të dyja rrugët janë të vështira, sepse të dyja kërkojnë përballje me vetveten. Poe nuk lejon distancë të sigurt; ai e përfshin lexuesin në të njëjtin tension që ka përjetuar vetë gjatë aktit të shkrimit.
Në këtë pikë, identifikimi i Baudelaire-it me Poe-në bëhet i plotë. Ai nuk e sheh atë thjesht si një mjeshtër të tregimit fantastik apo të tmerrit, por si një figurë tragjike të modernitetit: një artist i mallkuar, i përjashtuar, i keqkuptuar nga koha e vet, por i pajisur me një ndjeshmëri të tejskajshme ndaj së keqes, bukurisë dhe absurdit të ekzistencës. Poe është, për Baudelaire-in, dëshmi se vuajtja nuk është aksident, por kusht i gjeniut; se drita e artit lind pikërisht nga përplasja e vazhdueshme me errësirën.
Kjo marrëdhënie shpjegon edhe pse Baudelaire-i iu përkushtua me një devocion të rrallë përkthimit të Poe-s në frëngjisht. Ai nuk përktheu thjesht tekstin, por frymën; jo vetëm fjalën, por logjikën e frikës dhe elegancën e tmerrit. Në këtë akt, ai nuk ishte përkthyes, por bashkautor, duke e futur Poe-në në zemrën e letërsisë evropiane dhe duke e shndërruar në një pikë referimi për simbolizmin dhe modernizmin që do të pasonin.
Në fund, ajo që mendonte Baudelaire për Edgar Poe-n nuk mund të përmblidhet me fjalën “admirim”. Ishte një njohje e thellë, pothuajse e dhimbshme, e një shpirti binjak. Poe ishte prova se arti i madh nuk lind nga rehati, por nga tensioni ekstrem; jo nga shpresa naive, por nga guximi për të soditur humnerën pa u verbuar. Për Baudelaire-in, Poe mbetet një gjykatës i heshtur i lexuesit: ai të vë përballë frikës sate dhe të pyet, pa mëshirë, nga çfarë metali je farkëtuar dhe çfarë je i gatshëm të mposhtësh për të fituar vetveten.



