Bukuria si shenjtëri dhe mister - Një lexim i "Adoleshentes me veshje orientale" të Charles Augustin Lhermitte dhe Këngës së Këngëve

“Adoleshente me veshje orientale” e Charles Augustin Lhermitte dhe vargjet e “Këngës së Këngëve” janë dy forma të ndryshme të të njëjtit adhurim, përpjekja për ta parë bukurinë jo si tundim të syrit, por si zbulesë të shpirtit. Në të dyja, femra nuk shfaqet si objekt i vështrimit, por si prani e një misteri që kërkon heshtje, ndjeshmëri dhe përulësi për t’u kuptuar. Kjo ndërthurje mes penelit dhe vargut biblik na çon drejt një leximi ku bukuria merr përmasën e një shenjtërie të heshtur, të paarritshme për syrin e nxituar, por të dukshme për ata që ende dinë të sodisin.
Vepra e Charles Augustin Lhermitte, "Adoleshente me veshje orientale", e ulur me këmbë të kryqëzuara (1912), shfaq një figurë të përmbajtur, por jo të moszëshme, një adoleshente e veshur sipas shijes orientale që mban në vetvete një fuqi të pashpjegueshme të bukurisë dhe përulësisë. Poza e saj, e thjeshtë dhe e përkorë, është një gjest i përhershëm i meditimit dhe pasqyrimit, një bukuri e përmbajtur që flet më shumë për thellësinë sesa për shfaqjen. Ajo nuk provokon, por frymëzon.
Përballë këtij imazhi, "Kënga e Këngëve", një nga tekstet më të pasura me simbolikë të Bukurisë në Bibël, na vjen si një zë që ngjall trupin jo si objekt, por si tempull i dëshirës së pastër dhe adhurimit të sinqertë.
Figura e Shulamites nuk është vetëm një grua, ajo është vendbanimi i misterit, toka e frymëzimit, palma që tundet nga fryma e dashurisë hyjnore.
Secili varg është një himn që ngre lart trupin si shprehje e së bukurës, e së përkryerës, një shfaqje e misterit të krijimit.
Lhermitte dhe Kënga e Këngëve takohen në një pikë të përbashkët, përkushtimi ndaj të bukurës që nuk zbulohet menjëherë, por pret të lexohet me sy të heshtur dhe me mendje që kërkon kuptim përtej pamjes.
Vajza e piktorit francez mund të jetë një Shulamitë e kohëve moderne, e heshtur, por me praninë e një pasqyrimi të brendshëm që fton adhurim, jo zotërim.
Ajo që e bën të veçantë këtë ndërthurje është mënyra se si bukuria paraqitet si një shenjtëri e heshtur, një mister që nuk kërkon publik, por një sy që sheh përtej formës. Nga gërshetat e saj deri tek sandalet, nga barku që krahasohet me një kupë vere, te qafa që ngrihet si kullë fildishi, çdo detaj në "Këngën e Këngëve" është një përshkrim i butë, por i mbushur me adhurim. Njësoj si tek Lhermitte, vështrimi i piktorit nuk është agresiv, por përvëlues në ndjeshmëri, i kujdesshëm dhe i përulur.
Në këtë përbashkim, përtej kohëve dhe formave, na kujtohet se bukuria më e vërtetë nuk bërtet, ajo qëndron, e heshtur dhe e mbijetuar, si një palmë që pret të vërehet nga ata që dinë të lexojnë me shpirt.
"Cantico dei Cantici" (Kënga e Këngëve), kapitulli 7:
Charles Augustin Lhermitte / Adoleshente e veshur në stil oriental, e ulur me këmbë të kryqëzuara / 1912
1
Kthehu, kthehu, o Shulamitë,
kthehu, kthehu, që të dashurojmë!
Çfarë doni të shihni te Shulamitja
ndërsa vallëzon midis dy korëve?
2
Sa të bukura janë këmbët e tua
në sandale, bijë e princit!
Kthesat e ijeve të tua janë si stoli,
vepër duarsh mjeshtërore.
3
Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët që nuk mungon kurrë mbushur me verë aromatike.
Barku yt është si një grumbull gruri,
rrethuar me zambakë.
4
Gjinjtë e tu janë si dy cerva,
binjakë të një gazele.
5
Qafa jote, si një kullë fildishi është,
sytë, si pishinat e Hesbonit
pranë portës së Bat-Rabimit,
hunda, si Kulla e Libanit
që shikon nga Damasku.
6
Koka jote ngrihet mbi ty si mali Karmel, flokët e tu, si purpur i ndezur janë; një mbret magjepset nga gërshetat e tua.
7
Sa e bukur je, sa e hijshme je,
o e dashur, e mbushur me kënaqësi!
8
Shtatlartësia jote është si një palmë,
dhe gjinjtë e tu, si veshule rrushi.
9
Thashë: «Do të ngjitem në palmë,
do të këpus tufat e hurmave».
....
Cytja e Lhermitte dhe “Këngës së Këngëve” nuk është thjesht një himn për bukurinë femërore, por një kujtesë se e bukura është një mënyrë e të shenjtës për të banuar mes nesh. Vajza e ulur me këmbë të kryqëzuara dhe Shulamitja biblike bëhen dy fytyra të së njëjtës prani, një bukuri që nuk kërkon të pushtojë, por të zgjojë, që nuk shfaqet për të tronditur, por për të ndriçuar. Në një kohë kur gjithçka kërkon të duket menjëherë dhe të konsumohet shpejt, këto dy vepra na rikthejnë tek arti i soditjes dhe tek dinjiteti i misterit. Ato na mësojnë se bukuria më e thellë nuk është ajo që ekspozohet pa masë, por ajo që ruan ende aftësinë për të heshtur, për të pritur dhe për të mbetur e paprekshme në brendinë e saj, si një lutje e pashqiptuar që jeton midis trupit, shpirtit dhe dritës.
Përgatiti: Albert Vataj



