Berati hap Javën e Kulturës Italiane/ Jazz siçilian dhe atmosferë festive në “Porta e Pashait"

Edicioni i pestë i Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri ka nisur nga qyteti historik i Beratit, duke sjellë një mbrëmje të veçantë artistike në sheshin “Porta e Pashait”.
Atmosfera festive u shoqërua me tingujt e muzikës jazz italiane, ku dhjetëra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën për të ndjekur koncertin live të artistëve siçilianë Giovanna Magro dhe Carlo Alberto Proto. Performanca përfshiu pjesë instrumentale dhe këngë të njohura italiane, duke krijuar një mbrëmje të ngrohtë kulturore në zemër të qytetit të UNESCO-s.
Në hapjen zyrtare të aktivitetit, konsulli Achille Provenzano theksoi se zgjedhja e Beratit nuk ishte rastësore, duke e lidhur këtë edicion me temën e ndërthurjes kulturore mes Siçilisë dhe Shqipërisë.
“Berati përfaqëson një qytet që mishëron historinë, bashkëjetesën fetare dhe trashëgiminë arkitekturore, duke e bërë vendin ideal për nisjen e Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri”, u shpreh Provenzano.
Artistët italianë u shfaqën të impresionuar nga mikpritja e publikut dhe bukuria e qytetit, duke e cilësuar eksperiencën në Berat si një nga më të veçantat e tyre artistike.
Java e Kulturës Italiane pritet të vijojë me aktivitete të tjera në qytete të ndryshme të vendit, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve.


