“Beni ecën vetë” feston 50-vjetorin

“Beni ecën vetë” feston 50-vjetorin

50 vjet më parë, më 26 janar të vitit 1976, u shfaq premiera e filmit “Beni ecën vetë”.

Filmi mban firmën e regjisores Xhanfise Keko (Artiste e Popullit) dhe u xhirua në vitin 1975 në Vithkuq, Drenovë e Korçë, me skenar të Kiço Blushit.

Kompozitori i filmit është Limos Dizdari, operator Saim Kokona, piktor Myrteza Fushekati.

Megjithëse kanë kaluar pesë dekada prej asaj date, ai mbetet në kujtesën e publikut, veçanërisht të atij brezi që u rrit duke parë në ekranin e madh dhe atë të vogël, Benin dhe aventurat e tij në fshat.

Filmi “Beni ecën vetë” është fitues i Kupës së Festivalit të parë të Filmit Shqiptar (1976) si filmi më i mirë dhe i pari film artistik shqiptar që është nderuar me çmime speciale në festivale ndërkombëtare filmi si në Film Fest Beograd (Jugosllavi – 1978) dhe Giffoni Film Festival, Salerno (Itali – 1978).

Ndërkohë që, regjisorja Xhanfise Keko dhe skenaristi Kiço Blushi, janë fitues të Çmimit të Republikës (1979) për realizimin me nivel të lartë artistik të filmit.

“Beni ecën vetë” feston 50-vjetorin

“Beni ecën vetë” është një kthim te fëmijëria, te fshati, te rrugicat, lojërat e pafajshme, emocionet e vegjëlisë. Regjisorja Keko e solli me një gjuhë të thjeshtë, njerëzore dhe plot ndjenjë.

Në rolin e Benit, interpreton Herion Mustafaraj, me në krah disa prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare si Pandi Raidhi, Dhorkë Orgocka e Yllka Mujo.

Gjatë këtyre 50 viteve të jetës së tij, filmi “Beni ecën vetë” është pritur me mjaft interes edhe nga spektatori i huaj në Gjermani, Zvicër, Francë, Itali, Jugosllavi, Greqi, Turqi, Danimarkë, Algjeri, Austri, Spanjë, Norvegji e USA ku është shfaqur në festivale ndërkombëtare filmi.

EMISIONET