Arti sipas Oscar Wilde, një manifest për bukurinë dhe shpirtin krijues

Arti sipas Oscar Wilde, një manifest për bukurinë dhe shpirtin

Arti, sipas Oscar Wilde, nuk lind nga nevoja për të imituar jetën, por nga dëshira për ta tejkaluar atë. Ai fillon me një zbukurim abstrakt, me një përpjekje të pastër imagjinative, që e gjen kënaqësinë e vet jo në të vërtetën, por në iluzionin estetik, në atë që është e pavërtetë, e pamundur, e padukshme. Ky është hapi i parë dhe më i lartë i artit, çasti kur imagjinata çlirohet nga barra e fakteve dhe gjen strehë në botën e formave të krijuara.

Më pas, ndodh një kthesë e çuditshme, jeta, e mahnitur nga shkëlqimi i kësaj shpikjeje të re, fillon të afrohet me artin, kërkon të bëhet pjesë e tij, të përfshihet në rrethin e magjisë dhe të sharmit që ai rrezaton. Dhe kështu arti, që në fillim ishte vetëm një ëndërr, fillon të marrë frymë përmes realitetit. Ai e përthith jetën, e përdor si materie të tij të papërpunuar, e rindërton dhe e rimodelon në forma të reja, më të bukura, më të larta, më të pastra.

Në këtë fazë arti është i pamëshirshëm ndaj së vërtetës. Ai nuk pyet për fakte, nuk ndalet te përshkrimi, nuk i bindet përvojës. Ai shpik, imagjinon, riformëson, krijon. Midis tij dhe realitetit qëndron barriera e shenjtë e stilit, ajo sipërfaqe e përsosur që i jep artit pavarësinë e tij. Sepse për Wilde-in, stili është mënyra me të cilën shpirti i artistit mbrohet nga përditshmëria, është velloja që fsheh plagët e botës nën një dritë të artë.

Por kur ndodh që jeta të marrë epërsinë, të kërkojë ta përdorë artin për nevojat e veta, për propagandë, për moral, për qëllime praktike, atëherë ndodh rrënimi i madh. Arti humb lirinë e tij, zbret nga froni i imagjinatës dhe bëhet shërbëtor i botës së fakteve. Kjo, sipas Wilde-it, është sëmundja e kohës moderne, jeta që e imponon veten mbi artin, në vend që arti ta fisnikërojë jetën.

Në kohën tonë, ku arti shpesh është kthyer në produkt, paralajmërimi i Wilde tingëllon më aktual se kurrë. Ai që dikur e quante “rrënim të artit” ndërhyrjen e jetës mbi të, sot do ta njihte në formën e tregut, të klikimeve, të algoritmeve dhe të mekanizmave që matin vlerën e një vepre me shifra e jo me dridhje shpirtërore.

Në një epokë ku gjithçka kërkohet të ketë “funksion”, arti shpesh humb atë që është thelbësisht i vetmi funksion i tij, të mos ketë asnjë të tillë, përveç se të jetë i bukur dhe i lirë.

Arti sipas Oscar Wilde, një manifest për bukurinë dhe shpirtin

Ne jetojmë në një kohë ku imazhi është bërë më i fuqishëm se ideja, ku zhurma ka zëvendësuar heshtjen, dhe ku shikimi i shpejtë ka zëvendësuar soditjen e thellë. Në këtë terren të rrëshqitshëm, arti qëndron në rrezik të humbë substancën e vet, nëse nuk gjen guximin të rifitojë papërshtatshmërinë e tij me këtë realitet asgjesues. Sepse arti nuk duhet të përputhet me botën, ai duhet ta kundërshtojë atë, ta provokojë, ta ndriçojë, ta çlirojë.

Wilde besonte se jeta imiton artin shumë më tepër sesa arti imiton jetën. Dhe nëse sot arti shpesh duket si pasqyrë e realitetit të përditshëm, ndoshta është sepse kemi harruar ta shohim atë siç e shihte ai, si një akt të pastër krijimi, si një kremtim të shpirtit që shpik bukurinë, jo që e përshkruan atë.

Gjithëpoaq, arti nuk është as luks, as arratisje, është forma më e lartë e ekzistencës së njeriut, sepse në të, ai pushon së qeni qenie praktike dhe bëhet qenie krijuese e frymuar nga eternia dhe mëkuar nga hyjnorja. Ai nuk na jep përgjigje, por na mëson të pyesim bukur. Dhe pikërisht aty, në pyetjen e bukur, në ëndrrën e gdhendur me stil, jeta kthehet në art dhe vetë arti shndërrohet në një prej formave më të epërme të ekzistencës, e stolisur nga e bukura dhe e fisnikëruar nga mendimi.

EMISIONET