Antiromani i Koço Kostës që pritet të vijë…

Nuk e di se çfarë e shtyu Koço Kostën, të më besonte që të isha unë lexuesi i parë i librit të tij më të fundit në dorëshkrim.
Edhe pse nuk dyshoj aspak në sinqeritetin e shënimit përcjellës, shkruar me dorën e tij e ku thotë: “Luan Ramës i besoj leximin e këtij dorëshkrimi, sepse e do dhe e shijon letërsinë e ndershme…”, prapëseprapë, ky motivacion nuk më duket i mjaftë aq sa të më bindë se arsyeja e besimit të tij vjen vetëm prej faktit se unë “e dua letërsinë e ndershme”.
Gjithësesi, cilado të ketë qenë arsyeja e pathënë plotësisht në atë pusullë që mbart edhe shumë fisnikëri, se përse ai më përzgjodhi mua, tani, pasi e kam lexuar dhe rilexuar disa herë dorëshkrimin, mund të them me bindje se letërsisë shqipe pritet t’i vijë një vepër absolutisht e çuditshme. Një asish, që nuk i ka ardhur më parë.
Në fakt, sa herë Koço Kosta i është ofruar letërsisë me veprat e veta, që prej më të parës (“Në rrugë”, 1967) e tëhu (deri tek “Mëhalla e Pelës” 2023), ato gjithmonë kanë qenë të çuditshme.
Të çuditshme e të ndryshme.
Të ndryshme e provokative. Provokative dhe problematike. Problematike dhe sfiduese gjithaq.
Të shkruara bukur?
Pa asnjë dyshim.
Aq sa mund të them me bindje se artistikisht janë vepra të një lartësie që mëvehtësohen e krijojnë kuotën e tyre, edhe përkundër veprës së shkrimtarëve të tjerë të mëdhej të letërsisë tonë, duke na dëshmuar kësisoj një madhështi të epërme. Atë të Koço Kostës.
Ndërsa gjuhësisht, vepra e Koço Kostës është plot pasuri që meriton vemëndje të kushtuar të studiuesve të gjuhës jo vetëm në planin stilistik, por edhe në atë morfologjik, sintaksor e dialektologjik. Ai nxjerr nga “sënduqet” fjalë të harruara, i jetëson ato. Gjen në gegnisht trajta që natyrshëm pasurojnë jo vetëm leksikun, por edhe ngjyrimin emocional të rrëfimi. Krijon fjalë të reja dhe na i shërben me elegancë, mjeshtërisht. Por, edhe me fanatizmin e një shkrimtari që me kast i mëshon kësaj ane, pa rënë në formalizëm gjuhësor, duke na dëshmuar se si pasuria e lëndës gjuhësore, kur trajtohet prej një mjeshtri, i jep veprës vlerë të veçantë.
Mandej, dua të theksoj se edhe për etnografët, (sidomos “Nata e Sofie Kondilit” 2007), vepra e Koço Kostës ofron një pasuri të vyer, mbi të cilën mund e duhet të punohet prej atyre që kanë interesa shkencore në këtë fushë.
Shkrimtarët e mëdhej janë punëtorë të palodhur e të pazëvendësueshëm të gjuhës.
Ata e pasurojnë, e zhvillojnë, e zbukurojnë gjuhën.
Krejt ndryshe prej veprës së botuar më parë, por jo prej cilësive e vlerave që sipërshënova, dorëshkrimi që shkrimtari më besoi mua e për të cilin po ju rrëfej pa pritur që ai të marrë udhë e të botohet, vjen si antiroman.
Ka qenë një kohë kur antiromani tentoi të bëhej trend.
Në letërsinë shqipe, sipas studiueses, Prof. Klara Kodra, “romani “OH” i Anton Pashkut, është antiromani i parë dhe i fundit i letërsisë shqiptare”.
Nuk di të them nëse ka apo jo të drejtë Profesoreshë Kodra kur e përcakton romanin “OH” të Anton Pashkut si antiromanin e parë të letërsisë shqiptare, por Koço Kosta, më vjen në ndihmë të them se përfundimi që romani i Anton Pashkut është edhe antiromani “… i fundit i letërsisë shqiptare”, më e pakta është një përfundim i nxituar.
Koço Kosta na dëshmon se e ka njohur estetiken e antiromanit.
Ndaj në vepër është e plotë papërcaktueshmëria, mjegullimi i karaktereve, prishja e subjektit, shthurja e kompozicionit.
Dalldia e fillimeve me idealizimin e gruas dhe adhurimin për të, shkon e kaplohet prej mërzisë në fundit e veprës, ç’ka në fakt, është shkatërrimi i situatës emocionale sipas logjikës së diagramës së antiromanit.
E gjithë vepra është brenda vetes. Ndaj, nëse duam ta gjykojmë atë duke iu referuar personazhit kryesor, pra shkrimtarit vetë, do të gjejmë që romani nis me një Koço, dhe përfundon me një Koço tjetër në fundin e tij.
Koço Kosta në këtë roman jo vetëm e rikonfirmon, por edhe e konsolidon bindjen se tek i keqi gjendet edhe e mira, sikundër, tek i miri gjendet edhe e keqja.
Ai vetë, njeriu aq i devotshëm ndaj gruas, leftiset pas dy lesbikeve. Pra, edhe i miri, edhe i keqi, është ai vetë. Tani është njeriu i idileve, mandej shfaqet horri, një herë besniku, pastaj tradhëtari, këtu moralizuesi, atje tej mëkatari.
Në një farë mënyre, shkrimtari na e bën me “hile”. Ai na thotë se unë di ta përdor fjalën, di të dredhoj, di të fshihem, por ama, di edhe të tregoj që këtë vepër e kam shkruar që më 1986.
Duke ia njohur veprën e mëherëshme, e më shumë, duke e njohur nga afër edhe vetë shkrimtarin, nuk dua ta fsheh se e nisa leximin e librit në dorëshkrim mes dyshimesh e hamendjesh gjithfarë, aq sa m’u desh t’i them vetes:
-Koço Kosta, mua nuk ma hedh dot! Edhe pse ke shënuar që ky libër është shkruar më 1986, do të përpiqem të gjej gjurmë apo prova që ti po fsheh një fabrikat. Nuk ma merr mendja që këtë libër e ke shkruar që në vitin e largët 1986, dhe se tani e ke bërë gati për botim.
Do të të lexoj me vëmendje!
Kështu bëra. E lexova dhe e rilexova. Me laps në dorë; duke mbajtur shënim fjalë e fraza, detaje e përshkrime të shumta. Dhe vetëm pasi e kreva leximin vëmendshëm e disa herë, thashë me bindje:
-Po, e ke shkruar në atë kohë. Ky ligjërim është i asaj kohe. Gjuha i jep të drejtë.
Koço Kosta ke të drejtë.
Nëse përgjithësisht Koço Kosta është një narrator linear (përfshirë edhe tek “Nata e Sofie Kondilit), tek “I shkreti Foto Pagunë” (ky është titulli i dorëshkrimit), narratori mjeshtër në mënyrë të vetëdijshme i prish rregullat. Personazhet kryesorë i prezanton pa emër (e ka bërë edhe më parë me novelën e ndaluar “Ata të dy e të tjerë” me Peshkun e Kuq apo Djaloshin e Pashëm (1986).
Tipi i Pashtruar, Gruaja e Tipit të Pashtruar, Vajza e Mbretit dhe Burri i Vajzës së Mbretit, janë karaktere që shkrimtari i pranëvë me personazhe të tjerë, të cilët i tipizon me anë të cilësive të veçanta fizike.
I përshkruan duke zgjedhur një pjese të trupit për të tërën (Nofullshtrembëri).
(Më herët, tek “Buka e një stine me borë”, 1979, kemi Faqebin).
Me këtë vepër Koço Kosta bën të kundërtën e asaj që ka ndodhur rëndom në letërsi. Ai merr si model rrëfimin gojor, e ngre në art duke na e sjellë atë në vepër përmes rrëfimit pa rend. Pra, shkrimtari zgjedh rendin e rrezikuar me qëllim që ta ftojë lexuesin jo për të lexuar, po për ta turbulluar. (Për shembull e fut në një moment Farmacisten, e cila të humbet për shumë kohë e kur ti e ke harruar, ajo të del befas gjetiu).
Një nga vlerat e letërsisë është që të mos e përkëdhelë lexuesin, të mos e marrë me të mirë e të mos ia bëjë qefin atij. Ndaj shkrimtari, përmes mënyrës që ka zgjedhur të na rrëfejë, i thotë lexuesit; nëse do të më ndjekësh, me ndiq. Ki mendjen! Në e kuptove, mirë. Nëse jo, nuk kam se çfarë të të bëj.
Personazhi me i dashur i romanit është vetvetja. Jo vetëm sepse është gjithkund, po përgjatë gjithë veprës ai është përcaktuesi i gjithçkaje.
Edhe pse në pamje të parë mund të shquash me të drejtë se kjo vepër është një kushtim për gruan, dhe Koço Kosta ia ka dalë të na e japë portretin e saj në plotëri me imagjinatën që ai ka për gruan ideale, prapëseprapë, çdo gjë kalon nga ai vetë. Ai, edhe gruan e ka të brendësuar. Ne jemi njëritjetri thotë sa herë vë në pah cilësi apo vlera të saj. Nuk i le ekskluzivitete në asgjë. Ti je e bukur sepse të dua unë, i thotë. Fuqia e dashurise time të bën të bukur.
Edhe ëngjëll, edhe djall.
Një lexues i vëmendshëm dhe që e njeh krijimtarinë e tij, me të drejtë mund të pyesë se ku doli Koço Kosta kaq dashnor i madh i gruas? Kujt kërkon t’ia hedhë ai?
Njeri me autostimë maksimale, ai i thotë gruas; ti je sublimi im. Unë të lartësoj, por unë edhe të shëmtoj. Pra, shkurt je në dorën time.
Besoj se ia kam dalë të gjej shpjegim se përse gruaja është më e dashur se e dashura, se përse është me e bukur.
Sepse eshte projekti i vetvetes. Thënë ndryshe; unë egoisti i madh, unë egocentristi, të bëj të shikosh që kaq shumë të paskam dashuruar!
Një e veçantë te “I shkreti Foto Pagunë” është prania e autorit dhe e kishës nëpër të gjithë romanin. Nuk di të them nëse ky “qerrata” e ka patur kaq të brendshme bindjen e krishterë dhe ia ka dalë ta disiplinojë veten kaq mirë, por mendoj se shfaqjen si i krishterë ai e ka si vetëshprehje; ky jam unë, kështu jam unë.
Kaq krishtërim sa ka romani i pabotuar ende i Koço Kostës, nuk e gjejmë as te Mitrush Kuteli. E gjejmë vetëm te De Rada. De Rada e ka gjithkund.
Sido që të jetë e pavarësisht motiveve se përse autori ka zgjedhur të jetë nëpër të gjithë romanin bashkë me kishën, kjo i ka bërë mirë veprës. E ka mbrojtur autorin nga djajtë.
Duke qenë i tillë, pra një i krishterë i devotshëm, shkrimtari është më njerëzor, i ledhaton veset e veta.
Horizonti psikologjik që ka Koço Kosta si shkrimtar është shumë e vështirë për t’u gjetur në letërsinë shqipe. Ndaj, ai edhe më parë, sa herë ka shkruar, aq herë edhe ka provokuar.
Në “I shkreti Foto Pagunë”, pra në romanin në dorëshkrim, Koço Kosta synon të bëjë në prozë atë që Dritëro Agolli bëri në poezi; të shenjtërojë gruan.
Ai sikur do t’i thotë Patriarkut:
- Mos kujto se ti je i vetmi që i ke kënduar gruas si e dashur. Jam edhe unë, e madje e bëj më mirë.
Nuk e ka bërë letërsia jonë. Por mbase as ajo botërore. E provoi Floberi me “Zonja Babari”, por, bëri një gjë të ftohtë.
Shkrimtari është inatçi. Edhe Koço Kosta nuk bën përjashtim.
Me “Trendafili në gotë”, Dritëroi na dha një roman pa ngjarje, pa heroizëm. Edhe pse u kritikua nga kritika zyrtare e kohës, Dritëroi atë vepër e donte shumë dhe e rendiste ndër më të mirat e krijimtarisë së vet. Dhe kishte të drejtë.
Koço Kosta mund të mos e thotë e as ta pranojë, por vetiu, “I shkreti Foto Pagunë” vjen edhe si sfidë ndaj romanit “Trendafili në gotë”.
-Roman pa ngjarje e pa histori bën ti, roman pa ngjarje e pa histori bëj edhe unë.
Duke shkuar më tej, unë mendoj se ky roman vjen edhe si sfidë ndaj Kadaresë.
-Unë bëj letërsinë që nuk e bëre dot ti. Proletari i parë që doli të shesë fuqinë e vet (Hajde dru me pre!) është qytetar i ardhur. Ti mbaj Nik Martinin që do t’i verë zjarrin Kullave të Kremlinit, ky është domeni im. Letërsinë në fshat e bëj unë, këtu mos u qas.
Koço Kosta nuk e “harron” as Petro Markon. Madje Petro Markos i shkon edhe në mëhallën e tij (Mëhalla e Markos). Me frazën e paplotë (veçanti e stilit të Petro Markos) dhe me detin, shpellat, kishat, ullinjtë, agrumet, ai sikur i thotë; vij unë nga Suha ime e të zë mëhallën tënde, të zë detin, të zë shpellat, të zë ullishtat dhe agrumet, të zë edhe stilin, dhe ja, gjendem më mirë se sa ti.
Këto janë sfida që shkrimtari ia bën letërsisë. Ia bën edhe vetvetes. Përmes sfidash të tilla na ka ardhur letërsia që kemi, na kanë ardhur kryevepra dhe shkrimtarë të mëdhej.
Ngado e sido që ta shohim apo gjykojmë letërsinë botërore, ajo e gjitha është e ndërtuar, le të themi mbi njëqind motive. Të gjithë rikrijojnë mbi ato motive. Të gjithë shkojnë nga shkojnë, kthehen tek Homeri.
Shkrimtari më i madh i Shekullit XX shkroi Uliksin. Nuk e bëri duke lundruar nëpër Mesdhe, por e vërtiti nëpër një lagje të Londrës. Pra, secili është një Uliks (Odise) më vete.
Që prej vitit 1967, kur Roland Barthes botoi traktatin “Vdekja e autorit”, autori nuk ekziston. Autori është vetëm rikrijues. Krijues është vetëm Zoti. Ndaj nuk ka rëndësi se kush e ka shkruar i pari, por kush e ka shkruar më bukur.
Përgjithësisht, për një vepër shkruhet pasi ajo të jetë botuar.
Unë nuk po i qëndroj këtij rregulli.
Po shkruaj për një vepër të pabotuar. Po shkruaj për një vepër në dorëshkrim.
Si rregull, për një vepër në dorëshkrim, i shkruhet autorit.
Unë nuk po i qëndroj as këtij rregulli, sepse po shkruaj publikisht, pa i shkruar më parë autorit.
Duke zgjedhur të shkruaj publikisht, pa i shkruar më parë autorit për veprën në dorëshkrim, unë nuk po e shpërdoroj besimin e shkrimtarit.
Ndava me ju atë që nuk munda ta mbaj dot për vete; ju rrëfeva për antiromanin e Koço Kostës që pritet të vijë.
Shpresoj që Koço të mos më keqkuptojë këtë “pabesi” të patëkeq e lutem të më besojë dorëshkrime të tjerë. E di që ai ka shumë dorëshkrime të tjerë.





