Alerti i arkeologjisë për Butrintin, Përzhita: Instituti i Arkeologjisë është pjesë integrale e Parkut
Luan Përzhita, drejtor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, thotë se debati për Butrintin është përqëndruar më shumë në zgjidhjen e problemeve administrative sesa atyre shkencore.
Në emisionin "Drejt" në Rtv Ora ai thotë se ndjeshmëria e arkeologjisë ndaj këtij rasti ka qenë e madhe sepse Instituti i Arkeologjisë është pjesë integrale e Parkut të Butrintit, ka infrastrukturën e tij aty.
Përzhita: Është një problem se kemi të bëjmë me mentalitet, qasje, interesa, strukturim. Butrinti ka hapur një debat që ne duhet të mësojmë shumë, qasjen që duhet të kemi ndaj trashëgimisë kulturore.Butrinti është diçka mbi territorin shqiptar, është panshqiptar dhe panmesdhetar. Qasja karshi këtij monumenti ka krijuar vëmendje të posaçme dhe është diçka e mirë.Ligji i 2018 ka shumë hapësira që krijojnë mangësi sa i takon miramenaxhimit të këtyre siteve arkeologjike që i sjellin Shqipërisë edhe të mira materiale. Në këtë rast pjesa e ndjeshmërisë së arkeologjisë në territorin shqiptar është mjaft e rritur për vetë mënyrën si u organizua debati rreth Fondacionit të ri të Butrintit. Instituti i Arkeologjisë është prezent në Butrint që në fillimet e gërmimeve, madje ka dhe asetet e saj në parkun e Butrintit, ka zyra, ka laboratore, fonde arkeologjike. Është pjesë integrale e Parkut të Butrintit pavarësisht se menaxhohet nga Ministria e Kulturës. Mesa kam kuptuar problemi ka qenë më shumë i organizuar në zgjidhjen e problemeve administrative sesa atyre shkencore.


