Adoleshentët, sociologia Eva Sinanaj: Më shumë se veshja, më shqetëson vulgariteti verbal i tyre. Prindërit sot nuk kalojnë shumë kohë me ta

Adoleshenca si periudhë psikologjike dhe sociale e tranzicionit në mes të fëmijërisë dhe moshës madhore, njihet edhe si koha e turbullimit dhe stresit.

Pikërisht për këtë arsye, bota e qytetëruar, i kushton rëndësi të veçantë edukimit të adoleshentëve.

Një fidan i shëndoshë, i ka të gjitha gjasat të jetë një pemë e shëndoshë, prandaj është nevojë e veçantë, sidomos e prindërve të kenë kujdes gjatë edukimit të tyre, sepse, siç dihet fëmija bazën e shëndoshë të edukimit e merr në fëmijëri.

Sociologia Eva Sinanaj e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se kjo kohë në të cilën po jetojmë ka dinamikat dhe specifikat e veta.

“Megjithatë unë mendoj se nëse i gjithë faktori social si familja, shkolla, grupi i bashkëmoshatarëve kanë vëmendje të shtuar ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj marrëdhënieve sociale mendosj se do të kenë një vazhdimësi dhe ecuri më të mirë të marrëdhënieve që ata krijojnë si në familje, në shkollë, ashtu edhe me bashkëmoshatarët.

Do ishte shumë e thjeshtë t’i bëje një gjyq kolektiv duke i thënë se nuk po visheni si duhet etj, etj. Ata natyrisht janë nën dinamikën e rrjeteve sociale, e personazheve publikë, të cilët kanë ndikim në veshjen e tyre.

Por gjithmonë do të ketë vend për përmirësim në veshjen e tyre. Por mua më shumë se sa veshja e tyre, më shqetëson vulgariteti verbal i tyre. Dhe kjo jo vetëm me moshat më të rritura me ta, por edhe në mesin e tyre.

Gjimnazistët kanë një përshëndetje mes tyre që nuk është shumë qytetare. Ndoshta ajo mund të jetë një komunikim i kohës mes tyre, por do të doja që ata të kenë një vëmendje të shtuar në këtë drejtim që të jenë nesër qytetarë më të mirë.

Kjo ndodh pasi mendoj se prindërit janë më pak prezentë në jetën e tyre familjare, pasi ata i kushtojnë më shumë kohë punës dhe sigurimit të të ardhurave, dhe nuk kalojnë shumë kohë fizike dhe cilësore dhe në bashkëbisedime me njëri-tjetrin”, u shpreh ndër të tjera, psikologia Eva Sinanaj.

lili saraçi

EMISIONET