50 vite nga ikja në amshim e një antikonformisti/ Pier Paolo Pasolinit, ai që paralajmëroi rënien etike të shoqërisë

Kanë kaluar pesëdhjetë vjet që prej asaj nate të ftohtë në Ostia, mes 1 dhe 2 nëntorit 1975, kur u shua një nga zërat më të papërsëritshëm të shekullit XX. Gjysmë shekulli pa Pier Paolo Pasolinin është një gjysmë shekulli më i varfër, më i heshtur, më pak i shqetësuar. Sepse Pasolini, me gjithë polemikat, kundërshtitë, ngjitjet dhe rrëzimet e tij, ishte mbi të gjitha një shqetësues i ndërgjegjes, një goditje e vazhdueshme ndaj konformizmit dhe amullisë morale, një sy i papajisur për të parë botën pa mjegullën e interesit, frikës apo kompromisit.
Vdekja e tij, ende e paqartë në rrethanat dhe motivet, mbetet një plagë e hapur e kulturës italiane dhe europiane, një mister që shfaq brutalitetin e një epoke që nuk e duronte dot zërin e tij. Sot, kur Italia e përkujton në Ostia, në Casarsa, në Bolonjë e në qindra hapësira kulturore, rikthehet jo vetëm figura e artistit, por edhe zemra morale e një intelektuali që e çante rrjedhën e kohës si një thikë, për ta bërë të rridhte më ndershmërisht.
I lindur në Bolonjë më 1922, por i formuar shpirtërisht në Casarsa della Delizia, Pasolini u rrit mes traumave familjare, humbjes së vëllait partizan dhe një kërkimi të pandalshëm për papërlyerje. Qysh fëmijë kuptoi se e vërteta nuk është kurrë e rehatshme. Edhe kur u përball me denoncimin publik për homoseksualitetin dhe u përjashtua nga Partia Komuniste, ai nuk kërkoi as mbrojtje, as mëshirë, kërkoi vetëm të mos heshtte.
Arritja në Romë më 1950 ishte si rënie në një univers tjetër: dhunë, varfëri, bandat e borgate-s, të rinjtë e humbur që nuk kërkonin shpëtim, por vetëm një arsye për të mbijetuar edhe një natë. Ai vetë i quante vitet e para në Romë “të padurueshme”, por në këtë padurim u farkëtua një nga vëzhguesit më të mprehtë të botës moderne. Aty u krijuan rrënjët e romaneve Ragazzi di vita dhe Una vita violenta, të filmave Accattone dhe Mamma Roma, ku Pasolini nuk kërkoi realizëm, e kërkoi të vërtetën.
Pasolini e deshi njeriun pikërisht në dështimin e tij, në zhgënjimin e tij, në plasaritjet e shpirtit të tij. Ai qe një estet që e ngriti të shëmtuarën në art, jo për ta zbukuruar, por për ta bërë të dukshme, për t’i dhënë një dinjitet që shoqëria ia mohonte. Për të, borgata ishte tempulli i pastërtisë së fundit njerëzore, një pastërti brutale, por e vërtetë.
Në vitet ’60 e ’70 ai u bë profeti i një Italie që, sipas tij, po humbte shpirtin nën presionin e konsumizmit. Pasolini ishte i bindur se totalitarizmi i vërtetë i kohëve moderne nuk vinte më nga diktatorët, por nga reklamat, tregu, uniformizimi, nga ideja se lumturia blihej në qendrat tregtare. Në këtë pikë ai s’u mirëkuptua as nga e majta, as nga e djathta. E vetmja palë e tij ishte njeriu i mohuar.
Marrëdhënia me Italo Calvinon është një nga kapitujt më prekës të jetës intelektuale italiane. Ishin të ndryshëm: Calvino, konstruktiv, racional, gati matematik në prozën e tij; Pasolini, i egër, visceral, i pakontrollueshëm. Por të dy i bashkonte shqetësimi për shpirtin e një Italie që po ndryshonte me një shpejtësi që nuk po e kuptonin dot as vetë italianët.
Letra e fundit e Calvinos për Pasolinin, shkruar pak ditë para vrasjes së tij, është një nga dokumentet më të dhimbshme të letërsisë moderne. Aty Calvino pranon se Pasolini kishte të drejtë kur kritikonte artikullin e tij për masakrën e Circeos, se nuk kishte shkuar thellë mjaftueshëm në rrënjën e së keqes. Dhe më tragjikja: ai shprehet se do t’i përgjigjej më mirë “kur të ndodhte krimi tjetër”. Ironia therëse është se krimi tjetër ishte pikërisht vrasja e Pasolinit.
Kjo ironi mbetet një plagë morale edhe sot, Pasolini, njeriu që paralajmëronte rënien etike të shoqërisë, u bë viktima më emblemë e kësaj rënieje.
Pesëdhjetë vjet më vonë, Pasolini mbetet më aktual se kurrë. Ai jo vetëm e denoncoi konsumizmin, por e parashikoi shndërrimin e tij në një formë dhune psikologjike universale. Denoncoi zhdukjen e dialekteve, të kulturave lokale, të identiteteve të vogla, ato që sot po përpihen nga algoritmet e globalizimit. Pasolini qe një nga të parët që e kuptoi se e ardhmja nuk do të sundohej nga politikanët, por nga sistemet e prodhimit të dëshirave.
Vepra e tij sot ndez të njëjtin zjarr: atë të pyetjes së pamëshirshme, të zhytjes në errësirë për të gjetur një dritë që nuk vjen nga ideologjitë, por nga njerëzimi i zhveshur.
Pasolini nuk ishte shetor, as martir. Ishte një njeri që digjej. E digjte padrejtësia, hipokrizia, gënjeshtra, banaliteti. Sot, në përvjetorin e pesëdhjetë të vdekjes së tij, ndoshta duhet ta kujtojmë pikërisht kështu: si një qenie njerëzore që, me gjithë paqëndrueshmërinë e tij, pati guximin të mos heshtte.
Por në Casarsa, në librat e tij, në filmat, në debatet që nuk mbarojnë, në fotografinë e tij me Calvinon, në shpërthimet e tij të zemrës, aty rri gjallë Pasolini.
Jo si kujtim.
Si ndërgjegje.
Si një zë që edhe pas 50 vjetësh na pyet:
“A keni guximin të shihni atë që unë pashë?”
Dhe patjetër të shprehni atë që kutonte jo vetëm ai, por çdo perceptim i dritur nën rrezet e arsyes dhe reflektimit intelektual dhe kurajos së lirisë: "Unë jam një njeri i lashtë, që kam lexuar klasikët, që kam vjelur rrush në vresht, që kam menduar lindjen ose perëndimin e diellit mbi fusha. Pra, nuk di çfarë të bëj me një botë të krijuar, me dhunë, nga nevoja e prodhimit dhe konsumit. Unë e urrej gjithçka në lidhje me të: nxitimin, zhurmën, vulgaritetin, karrierizmin. Unë jam një njeri që preferoj të humbasë sesa të fitojë në një mënyrë të padrejtë dhe të pamëshirshme. Dhe e bukura është se unë kam faqe ta mbroj këtë faj, ta konsideroj gati virtyt", është shprehur Pasolini.
Dhe do të ishte mes sa tha dhe bëri, profetike kjo që ai shprehu në "Empirizmi Heretik": "Derisa të vdes, askush nuk mund të garantojë se më njeh vërtet, domethënë se mund t'i japë kuptim veprimit tim, i cili, si moment gjuhësor, është për këtë arsye i vështirë për t'u deshifruar... Vetëm përmes vdekjes jeta jonë shërben për të shprehur veten... Ose të jemi të pavdekshëm dhe të pashprehur, ose të shprehemi dhe të vdesim."



