"30 vite të Shqipërisë në foto", fotografi zviceran hap ekspozitë për vitet e tranzicionit në Shkodër
Një forograf zviceran i cili ka vizituar Shqipërinë prej vitit 1991 ka dokumentuar përmes fotografisë ndryshimet në vendin tonë. 30 vite fotografi ai i ka përbledhur në një ekspozitë, të cilën e ka hapur në shkodër, ndërkohë që ka botuar edhe një libër me foto me parathënie të kritikut Fatos Lubonja i cili shprehet se në vendin tonë nuk ka një tranzicion të mirfilltë por një realitet të pashpresë.

Në këto 3 dekada, të cilësuara si vitet e tranzicionit shqiptar, vendi ynë ka qënë përherë në fokus të studiuesve, historianëve, shkrimtarëve dhe fotografëve.
I tillë është edhe rasti i fotografit të njohur zviceran Hans Peter Jost, i cili prej vitit 1991 ka vizituar rregullisht Shqipërinë.
Çdo ardhje i ka shërbyer për të fiksuar në objektivin e aparatit, ndryshimet që ka pësuar vendi ynë, por duke mos mbetur pas në evidentimin e detajeve që në shumë raste në përjashtojnë nga të tjerët.
E tillë ishte edhe ekspozita e çelur në galerinë e arteve Shkodër, “Albania in between 1991-2021”.
E pranishme në këtë ceremoni, ambasadorja zvicerane Ruth Huber, e cila ka vetëm 1 muaj që ka marrë detyrën, e përshkroi me pak fjalë impresionin e kësaj ekspozite.
“Përshtypja personale që marr nga kjo ekspozitë, është ajo e ndryshimit dhe transformimit. Kaq shumë ka ndryshuar ky vend nga dyqani i bukës i vitit 1991.
Nga fotografitë ku njerëzit dukeshin të dëshpëruar për të blerë ushqimet që ishin të pakëta, tek rrugët modern të qytetit që duken të ngjashme me ato të ҫdo vendi europian. Kjo është mbresëlënëse,” tha ajo.
Fatos Lubonja i cili ka bërë parathënien e botimit, flet me nota kritike për situatën që po kalon vendi në gjithë këto vite dhe goditjen që të japin të tilla imazhe.
“Ky tranzicioni është një mit, por s’ka tranzicion. Ka vetëm realitet që vazhdon pa rrug. Një drejtim i gabuar që s’të ҫon kërkund. Një kaos e individualizëm pa shpresë,” tha ai.
Paralelisht Jost ka nxjerrë në qarkullim librin me fotografi me të njëjtin titull në gjermanisht dhe në anglisht.

