Shkodra është në prag të një katastrofe për depozitimin e mbetjeve pasi landfilli i Bushatit i “uli traun” për shkak të refuzimit të kësaj të fundit për të paguar me çmimin e ri të tarifës të vendosur në mënyrë të njëanshme nga landfilli.

Kryebashkiakja Ademi në një lidhje me skype për Rtv Ora tha se është në komunikim të vazhdushëm me pushtetin qëndror por ende nuk ka një përgjigje.

Ademi: Më vjen keq të them por përgjegjësia në lëvizjen e shpejtë dhe trajtimin e  çështjeve është e munguar.Kam komunikuar sot me zonjën Ministre, më është konfirmuar se po merren me çështjen e menaxhimit të mbetjeve bashkë me Ministrin Klosi por unë akoma nuk kam një zgjidhje për banorët e Shkodrës. Nga qeveria, nga institucionet nuk më është dhënë akoma informacion  se çfarë do të bëjmë për zgjidhjen e çështjes së depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit të Shkodrës.

Për ti dhënë zgjidhje kësaj situate Ademi thoë se duhet një diskutim teknik në një tryezë me palët e interesuara.

Ajo vë theksin se pa pasur në dispozicion të gjithë argumentimi ligjor dhe teknik, Bashkia e Shkodrës nuk mund të ndërmarrë asnjë hap.

Ademi: Akoma nuk e kuptoj këtë ngutin që është për të mos lejuar depozimin e mbetjeve të bashkisë Shkodër, vetëm bashkia Shkodër është ajo që nuk depoziton mbetjet në landfillin e Bushatit. Jemi furnizuesi më i madh në landfill duke paguar dhe qenë kontribuesi më i madh i shërbimit atje. Të gjitha njësitë e tjera përfshirë bashkinë Lezhë, Malësi e Madhe, Kurbin  etj depozitojnë atje me çmimin 10.036 lekë me TVSH ose 863 lekë pa TVSH. Çmimi i rritur është vendosur në fund të vitit, është kohë e pamjaftueshme në aspektin ligjit dhe financiar. Prej një muaji kërkoj diskutim teknik në një tryezë që mund të thirret nga prefektuara e Shkodrës apo Ministria e Mjedisit për të bërë të mundur që të na vihet në dispozicion i gjithë argumentimi ligjor dhe teknik. Ndryshe  askush nuk mund të marrë përsipër të thyejë ligjin pse dikush do të veprojë ndoshta në mënyrë arbitrare.

Asnjë nga bashkitë nuk ka qenë pjesë e këtij diskutimi. Para tre javësh jemi thirrur në një komunikim skype nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me menaxhimin e përbashkët të landfillit, askujt nuk ju tha që ka një tarifë të rritur dhe do të jetë pas tre javësh, ky është një skandal kur bëhet fjalë për mungesën e një komunikimi zyrtar të detyrueshëm. Menjëherë më pas na është komunikuar që do të rrisni tarifën, kjo nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë, ka një proces. Nuk jemi anëtarë të Bordit, përveç bashkisë së Vaut të Dejës.

Është një kosto e konsiderueshme për banorët. Ne i marrim paratë nga burimet tona. Duhet të diskutojmë me qytetarët sa dhe si do të marrim përsipër, do ta marrim nga granti duke hequr nga investimet apo do të rritim tarifën. Ne nuk jemi në kushtet për të rritur tarifën.

Por deri në një zgjidhje të plotë, Ademi thotë se ka nevojë urgjente për një periudhë tranzitore të paktën dy javë, ku bashkia e Shkodrës të depozitojë mbetjet në landfill me tarifën e mëparshme.

Ademi: Ministritë përkatëse më kanë konfirmuar se është një qëndrim i drejtë dhe po përpiqen të negociojnë me ndërkomunalen, këtë fjalën negocioj nuk e kuptoj në shtet por…Nuk mund të negociohet për çështje publike. Zgjidhja është e thjeshtë, të vazhdohet puna për depozitimin sepse jemi në një katastrofë mjedisore, katastrofë që i shtohet edhe përmbytja dhe kjo është shumë e rëndë.Nuk dëmtojmë vetëm territorin e Shkodrës por edhe fqinjët, si një vend ndërkufitar me Malin e Zi. Duhen thjesht 24 orë vendimmarrje dhe diskutim. Pres që sonte të kem një zgjidhje, mendoj se është e mundur. Të depozitojmë për 2 javë mbetje me çmimin aktual, më pas ta diskutojmë si duhet.

LEXO EDHE

Përmbytjet në Shkodër, Ademi: Presim përkeqësim të situatës, gati katër objekte për evakuimin e banorëve