Shqipëria ka humbur gjyqin e arbitrazhin me Francesco Becchetti dhe tashmë rrezikohen ti sekuestrohen asetet që ka në Austri.

Lajmi bëhet publik nga gazeta austriake “Der Standard”, e cila sqaron se, Ministria e Financave e Shqipërisë ka parashikuar një fond prej 110 mln euro për dëmshpërblimin e pronarit të Agon Chanel, por duke qenë se procesi i apelimit vijon ende, ai nuk ka kaluar nga llogaritë e biznesmenit Italian.

Për këtë arsye, kompania e ekzekutimit të borxheve, “Dorda Partners”, ka marrë përsipër të mbledhë për Becchettin mbi 25 mln euro.

Tashmë asetet e Shqipërisë në shtete të tjera e që nuk janë të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare bëhen objekt i sekuestros.

Sipas “Der Standard”, llogaritë e vendit tonë në shtatë banka vihen në diskutim.

Gjithashtu, pagesat e kompanive Verbund dhe EVN të cilat kanë fituar koncensione të ndërtimit të hidrocentraleve në vendin tonë, rrezikojnë të mos kalojnë në arkën e shtetit shqiptar, por do të shkojnë direkt në llogaritë e biznesmenit.

Vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit mund të zbatohet përmes vendimeve të gjykatave vendore dhe gjykata e Austrisë e ka marrë këtë vendim më 10 nëntor.

Përfaqësuesi i “Dorda Partners” ka sqaruar per gazetën austriake se, kompania është ende në pritje të përgjigjeve për identifikimin e aseteve të Shqipërisë nga palët e treta dhe veç Austrisë e njëjta procedurë po ndiqet paralelisht edhe në vende të tjera.

Francesco Becchetti paditi në gjykatën ndërkombëtare Shqipërinë pas vendimit të Qeverisë së Edi Ramës për të sekuestruar televizionin Agon Channel.

Ndërkohë, qeveria shqiptare mund të përballët dhe me një tjetër padi nga kompania India Power Corporation, e cila u shpall fituese e tenderit për parkun e parë fotovoltaik në vend.

Ajo kërkon dëmshpërblim për mos përmbylljen të kontratës dhe shifra e pretenduar është e njejtë me atë të fituar nga Becchetti, plot 110 milionë euro.