EULEX bastis banesën e Jakup Krasniqit, vajza sulmon deputetët që votuan Specialen: Tradhtarë!
Forcat e EULEX-it kanë kontrolluar banesën e ish-kryetarit të kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, njëherësh edhe ish- zëdhënës i UÇK-së gjatë periudhës së luftës. Prokuroria Speciale e Hagës nuk dha detaje por sqaroi se në bashkëpunim me policinë e Kosovës, po kryen aksione në zonën e Prishtinës. Vajza e Jakup Krasniqit reagoi në një postim në rrjetet sociale, duke i cilësuar tradhtarë deputetët që votuan në Kuvend ngritjen e Gjykatës Speciale në Kosovë. Të afërm të tjerë të Jakup Krasniqit kanë thënë se forcat policore nuk u lejuan ata të afrohen tek banesa e ish-zyrtarit të lartë.Forcat e shumta policore nga njësia EULEX-it kanë kontrolluar mëngjesin e së mërkurës rreth orës 06:00, banesën e ish- kryetartit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në Prishtinë.
Detajet e kontrollit ende nuk janë bërë të ditura por mjete të shumta kanë bllokuar gjithë rrugën në drejtim të banesës.
Familjarë të ish zyrtarit të lartë të Kuvendit të Kosovës, kanë thënë se patën vështirësi për të lëvizur në zonë dhe nuk u lejuan të hyjnë në banesën e Jakup Krasniqit.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë tha se është duke kryer operacione në Prishtinë me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit.
Ai është një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjatë luftës ka mbajtur edhe poste të larta si zedhenës i këtij formacioni.
Jakup Krasniqi ishte Ministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës e më pas mori postin e të parit të Kuvendit të Kosovës.
Aktualisht Krasniqi mban postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nisma-s Socialdemokrate.
Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa, ka reaguar për bastisjen me anë të një shënimi në facebook ku liston deputetët që votuan për Gjykatën Speciale. Duke i cilësuar tradhtarë deputetët që mbështetën ngritjen e Gjykatës Speciale ajo shkruan se babai i saj sakrifikoi vitet më të bukura të jetës që fëmijët e tij ta shijojnë lirinë në Kosovë.
Muajt e fundit dhomat penale të gjykatës speciale në Kosovë kanë iniciuar një seri procedurash hetimore ndaj ish- funksionarëve të UÇK-së duke marrë në pyetje fillimisht preidentin Hashim Thaçi.
Më 24 shtator EULEX arrestoi Salih Mustafën, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Zoti Mustafa i mohoi këto akuza në një paraqitje para gjykatës më 28 tetor.


