Hasimja: Zgjedhjet varen nga vullneti i socialistëve, teknologjia nuk parandalon shit-blerjen e votave

Hasimja: Zgjedhjet varen nga vullneti i socialistëve, teknologjia nuk

Pas arritjes së marrëveshjes mes palëve politike për kodin e ri zgjedhor, politologu Ermal Hasimja thotë se mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme tashmëvaret nga vullneti politik.

Hasimja: Çështja e zgjedhjeve varet kryesisht nga vullneti politik. Nëse partia që është në pushtet ka vullnetin për të manipuluar zgjedhjet në një mënyrë apo një tjetër do t'ja dalë që ta realizojë këtë qëllim. Në zgjedhjet e kaluara fenomeni kryesor ka qenë shitblerja e votës dhe masat që janë marrë nga opozita nuk është se e mbrojnë opozitën nga blerja e votës në mënyrë masive.

Arritja kryesore e opozitës në këtë tryezë ishte marrja e konsensusit për identifikimin biometrik. Por Hasimja në një lidhje me skype për Ora News thotë se problemi kryesor në zgjedhjet e shkuara ka qenë shit-blerja e votës dhe teknologjia nuk e ndalon këtë fenomen. Ndaj sipas tij duhet ashpërsim i masave ndaj krimeve zgjedhore dhe në mënyrë të veçantë zbatimi i ligjeve ekzistuese.

Hasimja: E kemi tejkaluar marifetin e mbushjes së votave në mënyrë mekanive, tani rreziku i madh është shitja e votave. Identifikimi biometrik nuk e eleminon dhe nuk e parandalon. I vetmi mjet për ta parandaluar në të ardhmen do të kishte qenë ashpërsimi i masave ndaj atyre që kapen duke shitur dhe më tepër duke blerë vota që deri më sot nuk ka ndodhur. Të gjithë personat që kanë prekur zgjedhjet në mënyrat nga më të ndryshmet në gjithë këto vitet e fundit shumë pak kemi parë ndëshkime dhe ato kanë qenë "peshq të vegjël". Nuk kemi parë ndëshkim të personave që kanë organizuar shit-blerjen e votave.Por me rëndësi është të aplikohen ligjet siç janë. Partitë në njëfarë mënyre e kanë toleruar në njëfarë mënyrë prekjen e rezultatit të zgjedhje. Do të duhet që ata njerëz që kapen duke blerë apo shitur vota të marrin dënimin që përcakton ligji.

Tërheqjen e opozitës nga kërkesat kryesore të saj, përfshirë edhe qeverinë kujdestare për zgjedhjet, politologu e lidh me presionin amerikan.

Hasimja: Mesa duket ka pasur tension të madh nga ndërkombëtarët, që ishte e dukshme, sidmos nga ambasadorja amerikane dhe opozita ka dashur të ruajë marrëdhëniet pozitive me Amerikën. U arritën disa gjëra që janë të dobishme por kërkesat kryesore të opozitës, sidomos ajo e një qeverie kujdestare për zgjedhjet nuk u arrit. Varet sesa efikase do të kishte qenë dhe kjo, mendoj se do të kishte qenë mirë të realizohej. Në mungesë të kësaj, të paktën të bëhej një hap garantues, në mos një qeveri e plotë kujdestare, të paktën diçka e ngjashme. Pas nënshkrimit të marrëveshjes gjithçka varet nga vullneti politik i socialistëve në pushtet.

Ndërkohë për depolitizimin e administratës zgjedhore, për të cilën PS insistoi deri në minutat e fundit, Hasimja thotë se Shqipëria nuk është ende gati.

Hasimja: Në Shqipëri depolitizimi është i pamundur. Në një mënyrë apo tjetër partitë, dhe sidomos partia që është në pushtet mund ta gjejë mënyrën për ta mikluar, për ta blerë, për ta shantazhuar personin që do të merrej me menaxhimin e zgjedhjeve. Ne nuk kemi atë lloj përgjegjshmërie dhe as kulture qytetare që të menaxhojmë një rezultat zgjedhjesh në mënyrë të paanshme dhe të depolitizuar.

Por ndërsa palët kryesore janë marrë vesh për kodin e ri zgjedhor, një tjetër pengesë ka dalë përpara. Për tu miratuar nga Kuvendit, mazhorancës i duhen 6 vota nga opozita parlamentare e cila ka deklaruar se nuk do ta votojë pa hapjen e listave.

Hasimja: Sa i përket kalimit në parlament mendoj se shumica do t'ia dalë ta zgjidhë këtë problem, është problem real por besoj se do t'ia dalë ta zgjidhë. Besoj se edhe mund ti gjejë ato 6 vota. Nga ana politike është tjetër gjë. Çështja e listave të hapura na rikthen prapë te vullneti politik. Listat e hapura mund të jenë pak më interesante se listat e mbyllura që caktohen nga kryetari, i japin pak më tepër mundësi elektoratit.

Por socialistët ende pa siguruar votat për miratimin e kodit të ri zgjedhor në parlament, dolën sot me propozimin që zgjedhjet të mbahen me 9 maj. Hasimja thotë se kjo është kompetencë e Presidenti dhe e rregulluar me Kushtetutë.

Hasimja: Datën e përcakton Presidenti. Data është relativisht  e rregulluar, e parashikuar nga Kushtetuta. Do të jetë brenda një kalendari të caktuar. Ai që ka bërë propozimin besoj që e ka marrë parasysh dhe kalendarin kushtetues të zgjedhjeve.

EMISIONET