Rivaliteti mes grupeve dyshohet se është arsyeja pas shkëmbimit të zjarrit që u shënua në Elbasan mesditën e së mërkurës.Një nga protagonistët ishte Elvis Koçi (Çaushllari) i njohur në qytet si “Vis korçari”, i cili mbeti i plagosur dhe u vu në pranga në spital. Në krahun tjetër policia thotë se qëndronte Migert Qosja, një 25 vjeçar, banues po në Elbasan.

Plumbat u derdhën sërish në rrugët e Elbasanit si pasojë e përplasjes mes anëtarëve të dyshuar të grupeve rivale.

Një shkëmbim zjarri mes të rinjve të ndarë në dy makina la pas një të plagosur dhe panik mes kalimtarëve.

Një nga protagonistët ishte Elvis Koçi i njohur edhe me mbiemrin Çaushllari, i cili mbeti i plagosur dhe u vu në pranga në spital.

Në krahun tjetër si rival i tij policia thotë se qëndronte Migert Qosja, një 25 vjeçar, banues po në Elbasan.

Sipas Policisë ata fillimisht janë konfliktuar fizikisht dhe më pas kanë shkëmbyer zjarr nga makinat që drejtonin.

Elvis Koçi, i njohur edhe si “Vis korçari” ka marrë një plumb në shpatull.

Ai ka braktisur në rrugë makinën ku udhëtonte dhe për t’i shpëtuar Policisë, ka tentuar të mjekohej në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por është arrestuar.

Ndërsa, Migert Qosja, i cili u largua nga vendngjarja pas të shtënave është në arrati dhe policia thotë se po punon për ta vënë në pranga.

Policia aty sekuestroi edhe një makinë tip “Golf” me të cilën ai udhëtoi nga Elbasani drejt kryeqytetit.

Burimet thonë se dy të rinjtë nuk ishin vetëm kur bënë luftë në mes të qytetit.

Në makinë me 28 vjeçarin Elvis Koçi mësohet se ka qenë edhe një tjetër person, ndërsa me Migert Qosjen të paktën 2 të tjerë.

Kamerat e sigurisë zbardhën ngjarjen

Policia, e cila ka arritur të zbardhë ngjarjen bazuar mbi pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitarëve të shumtë okularë, thotë se po punon për kapjen e tyre dhe sqarimin e rolit në këtë ngjarje.

Kush eshte “Korçari”

Ervis Çaushllari i njohur me nofkën “Vis korçari”, dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal në Elbasan dhe i dyshuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale, por që kanë mbetur të paprovuara në gjykatë.

Ndërsa Migert Qosja nuk është personazh i njohur në qytet.

Njoftimi i policisë

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 11:50, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ku gjatë një konflikti të çastit mes dy drejtues automjetesh ishin përdorur dhe armë zjarri, organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve u bë identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i njërit prej autorëve, shtetasi Elvis Koçi (Çaushllari), 28 vjeç, banues në Elbasan.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, shtetasi Migert Qosja, 25 vjeç, banues në Elbasan.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se Elvisi, duke drejtuar automjetin tip “Mazda”, është konfliktuar fizikisht me Migertin, i cili drejtonte automjetin tip “Ford” dhe më pas të dy palët kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me armë zjarri. Si pasojë shtetasi Elvis Koçi është plagosur lehtë dhe për t’i shpëtuar Policisë, ka tentuar të mjekohej në spitalin ushtarak në Tiranë, por është arrestuar në flagrancë.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Vijojnë kontrollet intensive nga Policia e Elbasanit, për kapjen e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje, shtetasi Migert Qosja.

Materialet hetimore në ngarkim të dy shtetasve i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Cfare ndodhi ne shkurt 2020

“Korçari” u padit në shkurt të këtij viti, 2020 nga një qytetar për dhunë pasi e ndaloi me makinë duke tentuar ta nxjerrë prej saj, ndërkohë që e goditi edhe me grushte.

Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Elbasanit dhe u kap nga disa kamera sigurie.

Më pas, personi i dhunuar shkoi në polici për të bërë denoncimin.

Pas denoncimit, ai deklaroi për mediat se ishte kërcënuar nga një tjetër person, i afërt i Çaushollit, për të mohuar ato që kishte thënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore.