Zv. Guvernatorja Minxhozi: Anëtarësimi në SEPA dhe pagesat e shpejta, projekte madhore të Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë nisi të enjten punimet e workshop-it me temë “Modernizimi i sistemeve të pagesave në Shqipëri”.

Ky workshop organizohet nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore (BB), me mbështetjen e Bashkimit Europian (BE), në kuadër të projektit rajonal të BB-së “Modernizmi i sistemit të pagesave në Ballkanin Perëndimor”. Pjesëmarrës në të janë aktorët kryesorë të sistemit të pagesave dhe infrastrukturës së tregjeve financiare në vend dhe ekspertë të huaj të fushës së sistemeve e shërbimeve të pagesave.

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, përshëndeti aktivitetin duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sistemit të pagesave me Bankën Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare të fushës.

Zj. Minxhozi u shpreh se Banka e Shqipërisë ka intensifikuar përpjekjet së bashku me Bankën Botërore, BE-në dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, në drejtim të tre prioriteteve kryesore të punës tonë në fushën e sistemeve të pagesave, të tilla si: implementimi i ligjit “Për shërbimet e pagesave” (PSD2), pjesëmarrja në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA) dhe ndërtimi i Instant Payment.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se tashmë është finalizuar miratimi i kuadrit rregullator që bën të mundur zbatimin e plotë të ligjit “Për shërbimet e pagesave”. Zbatimi i tij, nga njëra anë e hap tregun edhe për palë të treta ofruese të shërbimeve të pagesave, dhe nga ana tjetër, rrit kërkesat për përforcimin e standardeve të sigurisë në kryerjen e pagesave.

Në këtë kontekst, sfidë aktuale mbetet zbatimi në praktikë i konceptit të “bankingut të hapur” (open banking), i cili ofron mundësi për zgjerimin e shërbimeve të pagesave dhe rritjen e konkurrencës.

Më tej, Zëvendësguvernatorja prezantoi dy projekte madhore të Bankës së Shqipërisë: aplikimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në SEPA dhe implementimin e pagesave të shpejta. Ajo theksoi se BSH ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave, ose njohur ndryshe SEPA, që prej vitit 2021, kur u bëmë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin drejt integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian.

Gjithashtu, ky projekt vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në disa sektorë strategjikë, siç janë turizmi dhe eksportet me BE-në, ndërkohë që pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.

Zj. Minxhozi shtoi se në rolin e autoritetit monetar, rregullator e mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë e vlerëson gjithashtu pozitivisht implementimin e një zgjidhjeje për “pagesat e shpejta”, të cilat janë një mundësi alternative për pagesat elektronike, pasi sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës me kosto më të ulëta se instrumentet alternative.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Holti Banka, ekspert i lartë në sektorin financiar, përshëndeti punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të krijimit të kuadrit të plotë rregullator për zbatimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Ai theksoi se BB po mbështet të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për përafrimin e standardeve në fushën e pagesave me ato të Bashkimit Evropian. Në veçanti, ai theksoi avantazhet e pjesëmarrjes në SEPA për këto vende.

Pjesëmarrja në SEPA pritet të rrisë eficiencën e kryerjes së pagesave, lehtësinë për ekzekutimin e tyre dhe reduktimin e kostove. Gjithashtu, zbatimi i një infrastrukture për pagesat e shpejta përforcon avantazhet që mund të merren nga anëtarësimi në SEPA. Banka Botërore do të asistojë të gjithë procesin e anëtarësimit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor./ Monitor

Zv. Guvernatorja Minxhozi: Anëtarësimi në SEPA dhe pagesat e

EMISIONET