Vora jep 2.4 mln euro për mbetjet, fiton kompania që kërkoi më shumë
Bashkia e Vorës ka zhvilluar së fundi një tender prej 2.4 milionë euro, për pastrimin e qytetit. Ajo që bie në sy, është se nga konkurimi janë skualifikuar ofertat me kosto më të ulët dhe është zgjedhur fituese kompania që kërkoi 236 mijë euro më shumë për kryerjen e të njëjtës punë.
Institucionet e Pushtetit Vendor nuk heqin dorë nga prokurimet me procedura të dyshimta. Bashkia e Vorës ka shpallur fituesin e tenderit për pastrimin dhe largimin e mbeturinave të këtij qyteti, duke skualifikuar disa oferta.
Në prokurimin me vlerë 273 milionë lekë, ose 2.4 milionë euro, kanë marrë pjesë 5 kompani. Katër prej tyre janë skualifikuar nga gara dhe fitues është shpallur subjekti, ALKO-IMPEX General Construcion.
Një nga kompanitë e skualifikuara është edhe subjekti “Rej”, i cili edhe pse kishte ofertën me kosto më të ulët, është eleminuar nga gara.
Sipas dokumenteve të tenderit, kjo kompani është skualifikuar pasi Komisioni i Verifikimit të Ofertave kur ka shkuar të verifikojë nëse subjekti dispononte mjetet e nevojshme për të realizuar punën, punonjësit nuk kanë arritur të hyjnë në vendin përkatës.
Për këtë arsye, komisioni ka marrë vendim që të përjashtojë nga gara kompaninë që për të realizuar punën, kërkoi 231 më pak se kompania fituese.
Ndërkohë kompania që ka marrë tenderin, ka kërkuar 2.3 milionë euro, ose sa 97.5% të vlerës së tenderit për të kryer punën për 3 vite, që nga nënshkrimi i kontratës.
Në dokumentet e tenderit, thuhet se mbeturinat do të depozitohen në landfillin e Sharrës, por nuk është specifikuar nëse kompania fituese do të paguaj edhe tarifën e incenerimit, apo këtë pjesë e ka veçant Bashkia.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

