VKM-ja/ Shtohen pajisjet sportive që përjashtohen nga detyrimet doganore dhe TVSH

Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së djeshme miratoi disa ndryshime për zgjerimin e listës së materialeve dhe pajisjeve sportive që përjashtohen nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, si dhe procedurat e përjashtimit të tyre.
Konkretisht është shtuar një gamë e gjerë pajisjesh të reja sportive që përfitojnë përjashtim nga detyrimet doganore.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave përfshihen pajisje për futboll, tenis, sporte dimërore, shah, pingpong, arte marciale mikse, padel, triathlon dhe hark.
Disa nga artikujt e rinj për futboll përfshijnë jelekë për monitorimin e performancës së lojtarëve, mbulesa fushe, panele për trajnime dhe mure elastike për ushtrime; pajisje ndihmëse për ndërtimin e pistave të garave, përfshirë matës lartësie, metrikë distancash, kone sinjalizuese dhe kronometra elektronikë.
Për sportet dimërore artikujt përfshijnë, pajisje për ski me patina (roller ski), pajisje për ski në bar, pajisje dhe veshje për snowboard.
Sa i përket tenisit, pajisjet e reja përfshijnë rrjeta profesionale dhe amatore, shtresa të ndryshme për shtrimin e fushave, aksesorë: shtylla, makineta për tendosje, shirita, pajisje pastrimi dhe tharjeje etj.
Në shah pajisjet përfshinë robotë të dedikuar për mësimin e shahut, CD dhe programe mësimore.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe organizatat sportive shqiptare.
Lexo të plotë Vendimin e Qeverisë.


