Viti zgjedhor/ Qeveria “fryn” shpenzimet, 26.5 miliardë më shumë për vitin e ardhshëm
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë prezantoi projektbuxhetin e parashikuar për vitin 2023, ku pritet që rritja ekonomike të jetë e ngadaltë deri në 2.6%. Në këtë projektbuxhet parashikohet që të ardhurat totale si rezultat i rritjes së çmimeve të arrijnë 631.7 miliard lekë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektbuxhetin e parashikuar për vitin 2023, ku sipas ekonomia do të ketë rritje me 2.6 %.
Qeveria parashikon se të ardhurat mund të arrijnë në 631.7 miliard lekë.
Ibrahimaj: Nga këto të ardhurat tatimore 587.8 miliard lekë, dhe brenda zërit të ardhurat tatimore që mblidhen nga tatimet dhe doganat 431.2 ld lekë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 126.5 lekë.
Siç ndodh rëndom për vitet zgjedhore, edhe në 2023-in qeveria Rama ka parashikuar rritje të pagave në shëndetësi, arsim, mbrojtje, sigurisë publike, të cilat sipas Ibrahimajt do të ndikojnë në buxhetin e shtetit me rreth 3.3 mld lekë.
Ibrahimaj: Shpenzimet totale për pagat në administratën publike janë planifikuar në masën e 96.8 mld lekë ose 4.5% e PBB.
14.2 miliard lekë qeveria planifikon t'ja kushtojë bujqësisë përgjatë 2023.
Ministrja Ibrahimaj listoi dhe fondet e parashikuara për infrastrukturën.
Ibrahimaj: 4044 km rrugë mirëmbajtje me fond 2.6 mld lekë, financim i tunelit të llogarasë si dhe vazhdimi i “Unazës së Tiranës” me 6.8 mld lekë. Rruga e Arbrit 2.8 mld lekë, rruga Orikum-Dukat 911 mln lekë.
Në draft, qeveria parashikon një fryrje të shpenzimeve me afro 26.5 miliardë më shumë për vitin e ardhshëm, ndërsa për mbushjen e arkës së shtetit qeveria e shikon zgjidhjen tek shtrenjtimi i çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve në vend që rëndojnë në buxhetet e familjeve shqiptare.


