VIDEO/ Sipërmarrësi që operon në Greqi "rrëfehet" te Rama: Interes për investime në Shqipëri, bashkimi në kooperativa çelësi i suksesit
Sipërmarrësi Fatjon Ceka nga Mirdita, kompania e të cilit “Cekagro” operon në Kretë me një linjë paketimi produktesh bujqësore, ishte sot në podkastin “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama, për të treguar historinë e tij të suksesit në Greqi, por edhe pritshmëritë që ka për ta zgjeruar investimin e tij në Shqipëri.
Fatjoni tregoi se aktualisht operon në fushën e tregtisë edhe në Shqipëri, ndërsa u ndal te lehtësitë që ka ndeshur vit pas viti në klimën e biznesit.
I rritur në një familje shqiptare nga Mirdita në Kretë ai tregon lidhjet që mban komuniteti shqiptar atje, ku, sipas Fatjonit, 30-35% të prodhimit bujqësor në Kretë e kanë shqiptarët.
Fatjoni u ndal veçanërisht te rëndësia e bashkimit në kooperativa në shitje, si një mekanizëm shumë ndihmues për tregtarin, por po ashtu edhe për fermerin.
Në këtë drejtim, kryeministri Rama tregoi se “ka kohë që ka filluar në disa zona bashkimi në kooperativa dhe kanë shumë sukses”.
“Kanë kapërcyer edhe probleme të fragmentarizimit të tokës etj. Formula është e thjeshtë, ‘veç në prodhim dhe bashkë në shitje'”, tha Rama.
Fatjoni u shpreh se me çdo shqiptar që bisedon sheh interesin për të ardhur dhe investuar në Shqipëri.
“Thonë se duam të jemi në Shqipëri, por nuk e dimë nëse do të gjejmë të njëjtat gjëra me aty ku jemi. Kërkojnë barazi dhe çmime të drejta, ankande që funksionojnë. Ndaj kooperativat kanë përfitimet e tyre. Duke qenë në një koooperativë në BE ti ke edhe benefite fiskale, ajo të shtyn”, tha Fatjoni.