"Tregu ndërkombëtar, shumë i ndjeshëm"/ Ballesha: Rritja e naftës s'është transmetuar plotësisht te produktet e shportës

Rritja e çmimeve të karburanteve vijon të mbetet një shqetësim për qytetarët dhe bizneset.

Qeveria ka paralajmëruar ndërhyrje nëse nafta kalon 220 lekë për litër, me një ulje prej 20% të akcizës për të zbutur ndikimin në ekonomi.

E ftuar në një lidhje direkte për Ora News, ekspertja e ekonomisë Esmerlda Ballesha e sheh këtë si një hap pozitiv, por paralajmëron se presioni për rritje të çmimeve mbetet i lartë për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare.

“Ky është një lajm i mirë, sepse çmimet pritet të rriten. Tregu ndërkombëtar është shumë i ndjeshëm dhe çdo zhvillim, qoftë nga lufta në Ukrainë apo nga deklaratat politike, ndikon menjëherë te nafta.”- tha ajo.

Sipas saj, luhatjet në tregun shqiptar lidhen drejtpërdrejt me bursat globale dhe shpesh ndikohen edhe nga reagime të shpejta apo spekulative, pavarësisht rezervave që mund të ketë vendi.

Ndërkohë, rritja e kostos së karburantit ende nuk është reflektuar plotësisht te çmimet e produkteve bazë, pasi një pjesë e barrës është mbajtur nga vetë bizneset.

“Rritja e naftës nuk është transmetuar plotësisht te produktet e shportës. Bizneset e kanë amortizuar deri tani, por kjo nuk do të zgjasë për shumë gjatë.”- shtoi Ballesha.

Ballesha shton se disa sektorë, si furrat e bukës, janë ndihmuar nga përdorimi i energjisë vendase, çka ka zbutur ndikimin e menjëhershëm.

Megjithatë, nëse çmimet në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të rriten, efektet pritet të ndihen më fort edhe te konsumatorët në Shqipëri.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:

 

EMISIONET