Tregtia me pakicë u gjallërua në 3-mujorin e katërt të 2024-ës
Tregtia me pakicë u gjallërua në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, e udhëhequr nga tregtia e karburanteve, ku shitjet u rritën me 13,7%.
Referuar raportit të publikuar nga INSTAT-i, volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi rritje me 7,8%, në tremujorin e katërt të vitit 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi ritme më të ulëta rritjeje, me 1,5%. Shitjet në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, u rritën me 5,3%, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2023.
Volumi i shitjeve të ushqimeve, pijeve, duhanit shënoi rritje me 4,6%. Ndërsa shitjet për artikujt joushqimorë u rritën me 5,9%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.