Trefishohen azilkërkuesit, Franca shteti kryesor ku shqiptarët kërkojnë të vendosen

Numri i shqiptarëve që kanë kërkuar të largohen nga vendi përmes azilit është trefishuar në pjesën e parë të këtij viti. Eurostat në raportin e fundit thekson se ka regjistruar më shumë se 2900 aplikime për azil. Shteti kryesor ku paraqiten këro kërkesa vazhdon të mbetet Franca.

Tre mujori i parë i vitit 2022 ka shënuar trefishimin e numrit të aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptarë jashtë vendit.

Sipas statistikave të publikuara së fundi nga Eurostat, për tre muajt e parë të vitit evidentojnë se janë regjistruar gjithsej 2900 aplikimeve, pothuajse trefishim në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kohë kur lëvizjet ishin ende të kufizuara për shkak të pandemisë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në mars të këtij viti rreth 970 shtetas shqiptarë aplikuan për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të përpunuara nga Eurostat.

Në raport me muajin e mëparshëm, kërkesat për aplikim u rritën me 5%, por sërish ato mbeten shumë më të ulëta se në shtator të vitit të kaluar, kur arritën deri në afër 1800, në nivelet e para pandemisë.

Franca është shteti kryesor që pret kërkesat më të larta për azil nga shtetasit shqiptarë, siç duket edhe për shkak të lehtësive më të mëdha sociale që ofron për ta. Konkretisht sipas të dhënave, rreth 50% e aplikimeve në total shkojnë në Francë (për periudhën janar-mars 2022), e ndjekur nga Gjermania, me 23%.

Të dhënat e pjesshme edhe për prillin e majin e këtij viti tregojnë vazhdimin e tendencës rritëse të aplikimeve në Francë, me 480 të tilla në maj 2022, niveli më i lartë nga shtatori 2021.

Eurostat nuk i përfshin më në raportet e saj statistikat nga Mbretëria e Bashkuar, që prej vitit 2020, por para kësaj periudhe të dhënat tregonin se dhe ky shtet ishte i preferuar nga azilantët, me rreth 200-300 aplikime në muaj.

EMISIONET