Traditat kulturore e gastronomike në panairin e gjelit të detit në Zadrimë

Traditat kulturore e gastronomike në panairin e gjelit të detit

Në Lezhë u organizua panairi i gjelit të detit, i kthyer tashmë në traditë vitet e fundit.

Fermerët e Lezhës u mblodhën në Zadrimë, e njohur prej vitesh për mbarështimin e këtij shpendi, simbol i tryezës së Krishtlindjes dhe natës së ndërrimit të viteve.

Përveç promovimit të produktit vendas, panairi solli edhe tradita kulturore e gastronomike të kësaj zone.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha në një prononcim për mediet se “bashkia, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të gjithë duhet të bëjmë më shumë në drejtim të fermerëve, jo vetëm për gjelin e detit, që zona e Zadrimës si një ndër zonat më të spikatura në fushën e agrokulturës dhe kultivimit të gjelit të detit të jetë e mbështetur dhe të jetë në fokusin e projekteve të qeverisë”.

“Zadrima është ndërkombëtarizuar me ato që ka bërë, produktin lokal e ka ndërkombëtarizuar”, theksoi Ndreu.

Ndreu informoi se në këtë zonë do të kryhen një sërë investimesh si rehabilitmi i infrastrukturës rrugore, ujësjellësi i Mabes dhe Dragushës dhe shumë investime të tjera.

Festa e gjelit të detit ka si qëllim kryesor promovimin e prodhimit vendas, traditës, folklorit, trashëgimisë, shndërrimin e tyre në asete promovuese të zonës dhe nxitëse të agroturizmit.

EMISIONET