Tatimet mbushën arkën e Shtetit në 2024-n, 48,5 miliardë më shumë se në 2023-in

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mblodhi 405.6 miliardë lekë gjatë vitit 2024, rreth 48.5 miliardë lekë më shumë se në 2023.  Vetëm në dhjetor, të ardhurat arritën 35.5 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare

Plot 405,6 miliardë lekë iu shtuan buxhetit të shtetit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vitin 2024 sipas të dhënave zyrtare.

Statistikat tregojnë se të ardhurat e mbledhura nga Tatimet  janë 5,1 miliardë lekë më të larta krahasuar me planin, si dhe 48,5 miliardë lekë më të larta krahasuar me vitin 2023.

Vetëm gjatë muajit dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mblodhi 35,5 miliardë lekë, ose 1,8 miliardë lekë më tepër se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm.

Ndërkohë edhe në buxhetin e këtij viti të ardhurat nga Tatimet pritet të jenë një zë kontribuues i rëndësishëm.

Parashikohet të mblidhen rreth 709,854 milionë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, priten edhe 499,187 milionë lekë nga doganat.

Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore planifikohen të jenë 168,989 milionë lekë.

Të ardhurat totale në Buxhetin e Shtetit në vitin 2025 parashikohet të arrijnë në 754.6 miliardë lekë, ose afro 7.5 miliardë euro, me rritje prej afro 510 milionë euro nga viti qe lamë pas.

Parashikimi për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivelin e 3,9% dhe inflacioni në nivelin e 3% janë edhe disa faktorë të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2025.

EMISIONET