Skema bujqësore 2026/ Kryeministri Rama në 'Flasim': Mbështetje për fermerët e rinj, synohet forcimi i prodhimit vendas

Në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama bëri me dije se qeveria ka miratuar skemën kombëtare mbështetëse për fermerët për vitin 2026.

Skema është ndërtuar pas konsultimeve me fermerët në të gjitha qarqet dhe synon të lehtësojë marrjen e mbështetjes për çdo fermer.

Për herë të parë përfshihen forma të reja mbështetjeje, që nuk janë përdorur më parë, ndërsa një fond i veçantë është dedikuar për fermerët e rinj për të mbështetur investimet e tyre.

Skema gjithashtu nxit praktikat e qëndrueshme në bujqësi dhe afrimin me standardet europiane, duke rritur prodhimin vendas dhe konkurrueshmërinë e sektorit.

Qeveria synon që përmes kësaj mbështetjeje, fermerët të kenë më shumë mundësi dhe të fuqizojnë zinxhirin e vlerës në bujqësi.

FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA: 

Këtë javë është miratuar edhe skema kombëtare mbështetëse për fermerët për vitin 2026, e cila u ndërtua mbi konsultime intensive të drejtpërdrejta në të gjitha qarqet me fermerët dhe është orientuar prej tyre. Për këtë arsye, skema rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët, jo thjesht në aspektin e volumit financiar, por edhe në aspektin e lehtësimit të kushteve për ta përfituar atë që çdo fermeri i takon nga skema dhe, njëkohësisht, duke financuar në ato drejtime prioritare që garantojnë më shumë produktivitet dhe fuqizim më të mirë të zinxhirit të vlerës. Për herë të parë përfshihen në skemë forma mbështetjeje të cilat nuk kanë qenë të përdorura deri më sot. Ndërsa një tjetër risi është nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, përmes mbështetjes së metodave biologjike dhe afrimit me standardet europiane. Një fokus i veçantë i skemës janë edhe fermerët e rinj, për të cilët është parashikuar një fond i konsiderueshëm që mbështet investimet e tyre dhe, nga ana tjetër, skema në tërësi forcon prodhimin vendas, sepse ky është një synim parësor, rrit konkurrueshmërinë duke krijuar më shumë mundësi dhe akses dhe, sigurisht, inkurajon përafrimin me standardet europiane.

 

EMISIONET