SKANDALI I ËMBËLSIRAVE TOKSIKE/ BBI Group “kyç gojën”, refuzon t’i përgjigjet kërkesave zyrtare
Kompania “BBI Group” e përfshirë në skandalin e ëmbëlsirave toksike ka refuzuar të japë çdo sqarim për publikun, pavarësisht rrezikut serioz për shëndetin. Edhe pas kërkesës zyrtare nga “Ora News”, subjekti nuk ka dhënë asnjë informacion mbi shpërndarjen dhe asgjësimin e produktit të ndaluar.
Televizioni “Ora News” ka publikuar skandalin ushqimor, se te pluhuri i frutave që përdoret për t’i dhënë ngjyrë të kuqe ëmbëlsirave dhe tortave, është konstatuar pigmenti i rrezikshëm për shëndetin e njeriut (e kuqe reaktive 141).
Ky pigment është një bojë sintetike që përdoret kryesisht për ngjyrosjen e tekstileve, veçanërisht pambukut dhe fibrave natyrale, ndërkohë që është rreptësisht i ndaluar të përdoret në ushqime dhe produkte kozmetike.
Sipas burimeve zyrtare, produktin e prodhuar në Turqi, e importoi në vendin tonë subjekti “BBI Group” (Best Brands Internationally) me administrator Ergys Gjani.
Duke u nisur nga fakti që 835 kg e produktit të rrezikshëm është shitur dhe konsumuar, në kuadër të transparencës me median dhe qytetarët televizioni “Ora News” i është drejtuar këtij subjekti me një kërkesë për informacion.
“BBI Group” nuk ka pranuar të japë asnjë sqarim se në cilat kushte nxorën në treg 835 kg produkt që i ka rrezikuar jetën konsumatorëve, për më tepër refuzuan të na informojnë, në lidhje me praktikat që kanë ndjekur për asgjësimin e 365 kg produkt të bllokuar nga AKU.
Administratori i këtij subjekti, Ergys Gjani, nuk bën transparencë në lidhje me tregtimin e një produkti që ka rrezikuar shëndetin publik.
Alarmin për pigmentin e paautorizuar (e kuqe reaktive 141) e ka lëshuar shteti Grek pas analizave të kryera në produktin “RED FOREST FRUIT CAKE”.
Pigmenti i pa autorizuar është i rrezikshëm për shëndetin, nëse gëlltitet dhe mund të shkaktojë probleme toksike.
Ndërkohë, AKU ka pranuar se 835 kg e produktit është shitur, kryesisht pastiçeri.


