Si po ndryshon tregu i punës? Xhihani: Të rinjtë po orientohen drejt arsimit profesional dhe profesioneve me kërkesë në treg
Eksperti i punësimit Arbër Xhihani vlerëson se tregu i punës në Shqipëri po pëson transformime të rëndësishme, me të rinjtë që po orientohen gjithnjë e më shumë drejt arsimit profesional dhe profesioneve me kërkesë në treg.
" Ka pasur një ndryshim të ndryshueshmërisë të tregut të punës në varësi edhe të ndryshimeve që kanë ardhur si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit teknologjike por gjithashtu edhe transformimi ekonomisë së Shqipërisë drejt një ekonomie shërbimesh.
Kjo ka sjellë që tregu i punës të ketë nevoja të shtuara përsa i përket fuqisë punëtore të angazhuar pikërisht në shërbimet të cilat lidhen shpeshherë me sektorin e turizmit, por gjithashtu edhe profesione klasike si elektriçist, hidraulik etj.
Është e vërtetë që të rinjtë sot janë të prirur për të vazhduar drejt universiteteve, por duket se vokacioni i përgjithshëm që dëgjohet çdo ditë aktualisht po jep frytet e veta dhe të rinjtë po orientohen disi edhe drejt arsimit profesional.
Shifrat në dy vitet e fundit tregojnë një rritje përsa i përket numrit të aplikimeve në shkollat profesionale. Ka pasur një rritje ku rredh 16 mijë të rinj kanë zgjedhur të vazhdojnë një arsim profesional dhe 24 mijë të rinj kanë zgjedhur të aplikojnë në degë universitare.
Është e vërtetë që tregu i punës po rikonstrukturohet dhe po orientohet drejt ndryshimeve që ka pasur edhe tregu i punës në një rajon më të gjerë, qoftë europian por edhe global, pasi shikohet se tashmë po preferohen ato profesione që japin një stabilitet ekonomik dhe gjithashtu i japin mundësinë të punësuarve të bëjnë një stabilitet mes jetës së tyre profesionale dhe asaj personale", u shpreh Xhihani.

