Shtrenjtohet me 80% karikimi i makinave elektrike/ ERE miraton tarifën e re: Pas 1 nëntorit nga 14 shkon në 22 lekë/kWh, në oraret e pikut tarifa edhe më e kripur

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë miratoi vendosjen e një tarife të re për karikimin e makinave elektrike në pikat dhe stacionet me fuqi të instaluar mbi 11 kW të lidhura në nivelin e tensionit 0.4 kV.
Sipas vendimit të miratuar, nga data 1 nëntor 2025 do të aplikohet çmimi i shitjes së energjisë elektrike prej 22 lekë për kWh dhe 25.3 lekë për kWh për orarin e pikut. Aktualisht, çmimi i karikimit është 14 lekë/kWh, çka do të thotë një rritje prej 57- 80 %.
Ky çmim do të zbatohet për një kategori të re konsumatorësh që kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e konsumit të energjisë dhe kostove të disbalancave në rrjet për shkak të përhapjes së automjeteve elektrike dhe pikave të karikimit të tyre.
Fashat orare të përcaktuara për aplikimin e çmimit të energjisë në orarin e pikut janë: për periudhën 1 nëntor deri më 31 mars nga ora 18:00 deri në 22:00 dhe për periudhën 1 prill deri më 31 tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.
Ky diferencim orar synon të reflektojë ngarkesën më të madhe në rrjet në periudha të caktuara të ditës dhe të nxisë një përdorim më të ekuilibruar të energjisë gjatë 24 orëve.


