Sejko me drejtorin e FMN-së në Uashington: Ekonomia shqiptare me rritje të qëndrueshme

Sejko me drejtorin e FMN-së në Uashington: Ekonomia shqiptare me

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi në Uashington, një takim me Riccardo Ercoli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bordin Ekzekutiv të FMN-së, në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës të FMN-së dhe BB-së.

Takimi u fokusua në një shkëmbim mendimesh mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe politikat makroekonomike të ndjekura nga autoritetet shqiptare.

“U vlerësua ecuria pozitive e ekonomisë, me rritje të qëndrueshme, inflacion në rënie dhe pritshmëri për rikthimin në objektiv gjatë vitit 2026.

Politika monetare e ndjekur ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, pavarësisht sfidave nga tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Sejko.

Guvernatori theksoi se, sistemi bankar shqiptar mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe mirëkapitalizuar, ndërsa kursi i këmbimit ka shfaqur forcim të konsiderueshëm, duke reflektuar faktorë themelorë të ekonomisë dhe besimin e tregjeve.

Sejko shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndër vite dhe gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin me institucionin.

EMISIONET