Árendás: Kapitulli 12 kërkon infrastrukturë dhe kontroll më të fortë! BE rrit mbështetjen për Shqipërinë
Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në diskutimin mbi “Raportin e KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, i ftuari László Árendás, Menaxher i Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, foli mbi ecurinë e negociatave për kapitullin 12.
Árendás tha se për këtë kapitull janë tashmë të përcaktuara gjashtë piketa mbyllëse, të cilat lidhen me ngritjen e një infrastrukture të qëndrueshme, forcimin e kapaciteteve administrative, si dhe krijimin e një sistemi efikas kontrollesh. Ai theksoi se të gjitha këto elemente janë të ndërlidhura dhe kërkojnë progres të qëndrueshëm.
Ai nënvizoi se fondet IPA kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë shqiptare në përmbushjen e këtyre kushteve. Árendás bëri të ditur se, pas projekteve të mëparshme për sigurinë ushqimore, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nisë një program i ri me vlerë 12.6 milionë euro, që synon të forcojë standardet e sigurisë ushqimore dhe të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë kriteret e kapitullit 12.
Sipas tij, procesi kërkon punë të përbashkët, dhe përveç angazhimit të qeverisë, duhet të sigurohen edhe kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore të nevojshme për të çuar përpara reformat.
NDIQNI EMISIONIN ALERT NË “ORA NEWS”:

