Qeveria siguron 113,6 milionë euro mbështetje buxhetore për politikat e zhvillimit

Qeveria siguron 113,6 milionë euro mbështetje buxhetore për

Qeveria shqiptare ka siguruar një hua me vlerë 113,6 milionë euro nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore, në formën e mbështetjes buxhetore, për financimin e programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër, hua e dytë për politikat e zhvillimit”.

Marrëveshja e huas, e cila u miratua një ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit, do të përdoret për stabilitetin makroekonomik, zhvillimin e energjive të rinovueshme, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe familjeve përballë rreziqeve natyrore dhe klimaterike.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se huaja do të mbështesë reformat strukturore të qeverisë, të përputhura me standardet e Bashkimit Europian.

“Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit europian. Me përparimin e negociatave për kapitujt e anëtarësimit, ne po përafrojmë jo vetëm legjislacionin, por edhe modelin e zhvillimit të vendit me atë të Bashkimit Europian. Një nga dimensionet kryesore është zhvillimi me aftësi ripërtëritëse dhe të gjelbër, që nënkupton forcimin e institucioneve, stabilitetin fiskal dhe kalimin drejt një ekonomie që mbron mjedisin, rrit eficiencën energjetike dhe investon në burime të pastra”, tha Malaj, gjatë prezantimit në Kuvend.

Huaja ka afat maturimi 17 vjet, përfshin një periudhë pa pagesë 5 vjet.

EMISIONET