Malaj: Po shqyrtojmë mundësinë e indeksimit të pensioneve në qershor ose korrik

Malaj: Po shqyrtojmë mundësinë e indeksimit të pensioneve

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se qeveria po shqyrton mundësinë që procesi i indeksimit të pensioneve të realizohet në muajin qershor ose korrik, në kushtet e ecurisë pozitive të të ardhurave dhe krijimit të hapësirave të nevojshme buxhetore.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj bëri të ditur se çështja e indeksimit të pensioneve po diskutohet me Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH).

“Indeksimi i pensioneve është një çështje që jemi duke e diskutuar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore edhe për shkak të realizimit të të ardhurave. Kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për të krijuar mundësinë që të afrohet procesi i indeksimit në muajt qershor apo korrik”, u shpreh ministri.

Megjithatë, ai theksoi se vendimi përfundimtar do të merret në bashkëpunim me ISSH-në.

“Megjithatë, është një çështje vendimmarrjeje të cilën besoj se do ta ndajmë me ju sapo të kemi dakordësinë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore”, tha Malaj.

Ministri e lidhi mundësinë e avancimit të indeksimit me performancën pozitive të të ardhurave buxhetore dhe të skemës së sigurimeve shoqërore gjatë muajve të parë të vitit.

Sipas të dhënave të prezantuara prej tij, të ardhurat buxhetore arritën në 275,8 miliardë lekë gjatë katërmujorit të parë të vitit, me një rritje prej 11,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 302 milionë euro më shumë.

Po ashtu, të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore shënuan një rritje prej 12,5% krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2025

Deklarata e Malajt vjen në një kohë kur pensionistët presin vendimmarrjen për indeksimin vjetor të pensioneve, proces që synon ruajtjen e fuqisë blerëse të tyre përballë ndryshimeve të nivelit të çmimeve në ekonomi. 

EMISIONET