“Punë ka, na duhen profesionistë”, Ministrja e Financave: IT dhe Turizmi kanë shumë kërkesa për punonjës

Njëjtë si kryeministri Edi Rama, i cili thoshte në 2016 se punë ka por jo profesionistë, edhe 6 vite më vonë kështu mendon edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Nga Shkodra ajo tha se sektori i IT dhe Turizmit janë ndër sektorët ku po kërkohen punonjës, ndërsa foli për mungesë profesionistësh.

Biznesi në Shqipëri po përballet me mungesë të fuqisë punëtore.

Ky është tashmë një fakt me të cilin janë të njohura edhe institucionet shtetërore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas një takimi me nxënësit e shkollës profesionale teknologjike “Hamdi Bushati” në Shkodër, si dhe përfaqësues të biznesit, foli për politikat që do të ndiqen për të ndryshuar këtë situatë të përkeqësuar vitet e fundit si pasojë e emigrimit të rinisë.

"Njerëz që ishin larguar më parë dhe sot janë kthyer përsëri në Shqipëri pasi alternativa për persona të pakualifikuar nuk është emigrimi. Alternativa është këtu, investimi te vetja, investimi te puna. Nuk jemi më në kushtet që profesionet kryesore të jenë me paga minimale."

Slloganin e kryeministrit Edi Rama, “Punë ka, por mungojnë profesionistët”, ministrja e shpreh në formë tjetër, ndërsa thotë se turizmi dhe IT janë dy sektorët ku kërkesat janë më të mëdha.

"Ekonomia po ecën mirë, bizneset kanë kërkesë. Ka turizëm të shtuar, ka kërkesë për industrinë fason, të gjithë kategoritë e bizneseve. Ajo që mungon janë profesionet, profesionistët, oferta e punës. Do punojmë fort ti përshtatemi kërkesës dhe tregut dhe të arrijmë në nivelin e zhvillimit ekonomik."

Nga bashkëbisedimi me biznesin në Shkodër, Ministrja u njoh me situatën e vështirë në këtë rajon gjatë sezonit të kaluar, ku mungesa e fuqisë punëtore ndikoi në ofrimin e shërbimeve.

EMISIONET