Bordi i Transparencës rrit për herë të dytë brenda janarit naftën dhe benzinën

Janari ka nisur me rritjen e çmimit të karburantit. Për të dytën herë brenda pak javësh Bordi i Transparencës ka firmosur shtrenjtimin e naftës dhe të benzinës që shkojnë në 210 lekë për litër dhe 192 lekë në pikat e furnizimit të automjeteve.

Ndërkohë, çmimi i gazit është ulur në nivelin e 69 lekëve për litër, nga 71 lekë që ishte në vendimin e fundit.

Vendimi vjen në kohën kur si ekspertët por edhe autoriteti i konkurrencës kanë shprehur kritika për reagime të shpejta në rritjen në bursë, por të ngadalta kur ari i zi është më i lirë.

Çmimet më të ulëta për karburantet në vend për herë të fundit janë shënuar në 9 dhjetor të vitit të shkuar duke shkuar nën 200 lekë litri për naftën.

Që atëherë janë zhvilluar 3 mbledhje të tjera të Bordit të Transparencës dhe çmimi ka ardhur vetëm në rritje ku më e larta u shënua në vendimine datës datën 17 janar të këtij viti, ku nafta u rrit me 9 lekë për litër dhe benzina me 12 lekë për litër.

Kujtojmë se shumë ekspertë të ekonomisë në vend dhe Konfindustria kanë kërkuar shkrirjen e bordit të transparencës, pasi sipas tyre në të gjitha vendimarrjet e tij ka vepruar në dëm të interesit publik, duke favorizuar qartësisht kompanitë e karburanteve.

Ndërkohë nga ana tjetër edhe zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku ka paralajmëruar shkrirjen e bordit të transparencës, por nuk ka dhënë një afat kohor për se kur do të ndodh një gjë e tillë.

EMISIONET