Psikologët shqiptarë drejt Evropës, Treska: Shumë shpejt nis ndarja certifikatave evropiane, s’do kenë nevojë për provime shtesë
Ashtu si dhe mjekët dhe personeli i shëndetësisë, tashmë Shqipëria po bëhet gati të përjetojë dhe një valë eksodi të psikologëve.
Kjo falë certifikatave evropiane me të cilat kanë filluar të pajisen ppsikologët shqiptarë.
Për të kuptuar më shumë mbi situatën e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte kryetarja e Urdhërit të Psikologut, Valbona Treska.
Ajo theksoi kjo është një arritje për të cilën kanë shumë vite që punojnë për ta realizuar.
“Ne jemi vend anëtar në Federatën Evropiane me të drejta të plota që në vitin 2019 dhe së fundmi kemi përmbyllur aplikimin e Shqipërisë për marrjen e certifikatave evropiane.
Që do të thotë që në momentin që kjo certifikatë të lëshohet nga Federata psikologët shqiptarë do të kenë mobilitet për të lëvizur në vende të tjera të Evropës dhe në të gjitha vendet e EPTAS dhe nuk do të kenë nevojë për provime shtesë siç bëjnë deri tani në mënyrë që t’u njihet profesioni.
Kështu që është një punë e jashtëzakonshme e bërë nga Urdhri i Psikologut dhe së fundmi e kemi përmbyllur me sukses aplikimin dhe tani presim që shumë shpejt ta konkretizojmë, dhe të ngrejmë Komisionin e Posaçëm të Certifikimit në mënyrë që pastaj të vijojmë me procedurat”, theksoi Valbona Treska.