Përgjysmohet lindshmëria, Omeri: Çiftet shqiptare nuk po riprodhojnë dot as veten e tyre

Përgjatë dekadës së fundit Shqipëria klasifikohet ndër vendet me zhvillime drastike demografike në rang global, duke kryesuar me normat e larta të emigrimit, rënie të lindjeve, plakje të popullsisë etj.
Kombet e Bashkuara parashikojnë që në 30 vitet e ardhshme numri i lindjeve në vendin tonë do të përgjysmohet në projeksionet e fundit mbi ecurinë globale të fertilitetit gjatë 2024-2054.
OKB e klasifikoi Shqipërinë me dy vende të tjera, Porto Riko dhe Xhamajka me rënien më të fortë të lindjeve në rang global deri në 2054.
Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT vitin e kaluar lindën rreth 22 mijë bebe, por në vitet 2050 do të lindin rreth 10-11 foshnja në vit. Realiteti i viteve të fundit ka treguar se treguesit demografikë të Shqipërisë patën ecuri më negative se edhe projeksionet me pesimistë për ecurinë e popullsisë.
Por për të kuptuar më shumë mbi këtë fenomen tejet shqetësues e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte gjinekologia Xhensila Omeri.
“Rënia është e pakuptueshme ende për ne si mjekë gjinekologë, pasi ajo ka vijuar në rënie nga viti në vit dhe nëse vazhdojmë me këtë ritëm do të përgjysmohet lindshmëria në vitet e ardhshme.
Janë shumë faktorë që kanë sjellë këto statistika sot. Rënia e lindshmërisë është një fenomen global, ku u shfaq fillimisht në vendet e zhvilluara, e tashmë ka kaluar tek vendet që janë në zhvillim si Shqipëria.
Kjo pasi dikur kemi pasur familjet e mëdha me nga 10-12 anëtarë, sot kemi një familje mesatarisht me 3 persona, pra një çifte dhe një fëmijë.
Dhe ai raporti që duhet që një çift të zëvendësojë veten duhet të jetë në 2.1 për qind nga 1.7 që është aktualisht”, u shpreh Xhensila Omeri.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME MJEKEN GJINEKOLOGE XHENSILA OMERI


