Pavarësia nga burimet hidrike, qeveria do marrë me qira dy anije që shërbejnë si termocentral për prodhim energjie
Në kushtet e një krize energjitike botërore, qeveria shqiptare do të marrë me qira dy anije që shërbejnë si termocentrale për prodhimin e energjisë elektrike.
Lajmin për arritjen e marrëveshjes e bëri me dije Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku gjatë mbledhjes së Komitetit për Energjinë elektrike.
Ministrja tha se anijet do të ankorohen në portin e Vlorës, dhe do të mbulojë një pjesë të nevojës për energji elektrike.
Balluku: Është një lajm shumë i mirë, me mbështetje të ambasadores amerikane, por në bashkëpunim me kompaninë që punon për projektin e termocentralit të Vlorës. Kemi arritur një marrëveshje për të marrë me qira dhe për të ankoruar në triport në Vlorë, dy anije prodhuese të energjisë elektrike, të cilat do të prodhojnë këtë energji për një periudhë kohe derisa TEC-i të vendoset në punë. Janë termocentrale lundruese. Këtu nisim fazën e parë të TEC-it të Vlorës. Është një arritje shumë e madhe pasi do na garantojë gjatë periudhës së verës që të kemi një pavarësi energjitike që do të prodhohet nga ato anije, sigurisht e kufizuar por e misheluar sëbashku me kaskadën dhe importeve, shkëmbimin energjitik, do të jenë të gjitha një mishël që do na japë pavarësinë energjitike gjatë verës.
Sa i takon situatës hidrike, Balluku tha se ka pasur një rritje të nivelit të liqenit të Fierzës.
Balluku: Kemi vendosur të mos prodhohet në Fierzë për disa kohë, duke grumbulluar të gjithë ujërat, edhe shirat që kanë rënë por edhe bora ka filluar të shkrijë. Me shpresë se do të kemi dhe në ditët në vazhdim një prurje të motit të lagësht, pra reshje të tjera shiu në basenin e Fierzës dhe gjithë kaskadën e Drinit që shpresojmë të jenë këtu rreth datës 7.

