PAMJET/ Vijon protesta e naftëtarëve: "Bankers" nuk ka gjendje financiare për të zgjidhur kërkesat

Vijon dita e dytë e protestës së naftëtarëve të kompanisë Bankers në Marinzë.
Dhjetë punonjës kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së urisë në ambientet e zyrës së sindikatës, e cila ndodhet në fushën naftëmbajtëse në Marinzë.
Për shkak të protestës, 40 puse të prodhimit të naftës janë lënë pa mbikëqyrje dhe nuk ka punonjës që të vazhdojnë aktivitetin normal.
Dritan Shahu, kryetar i sindikatës së naftëtarëve, tha se paga e punonjësve në fushë nis nga 500 euro dhe shkon deri në 900 euro, ndërsa për punonjësit e zyrave pagat janë dhjetë deri njëqind herë më të larta.
Nga biseda me përfaqësuesit e kompanisë Bankers, naftëtarët mësuan se kompania nuk ka gjendje financiare për momentin për të përmbushur kërkesat e tyre, pohoi Shahu.
Punëtorët kanë pezulluar punën në fushë, ndërsa grupi prej 10 vetash vazhdon grevën e urisë në sindikatë.

Çfarë ka ndodhur deri tani/ Përmbledhje:
Protesta e naftëtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum” dhe banorëve të Marinzës ka vijuar që dje dhe është përshkallëzuar paraditen e sotme.
Dhjetë punonjës kanë hyrë në grevë urie në ambientet e zyrës së sindikatës, ndërsa pjesa tjetër e punëtorëve ka pezulluar punën në disa grupe të fushës naftëmbajtëse.
Dje, protestuesit ngritën zërin për pagat dhe mungesën e transparencës në kontratat e kompanisë, duke paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, greva mund të zgjerohet dhe puna të pezullohet plotësisht.
Situata u tensionua më shumë kur një përfaqësues i kompanisë doli përballë protestuesve dhe u përball me reagimet e tyre, duke i provokuar. Protestuesit i thanë qartë: “Ik, mos na provoko!”, “Mos hajdeni këtu, largohu!” dhe “Ca bëhet kështu, vjen edhe na provokon?”. Përfaqësuesi i kompanisë u përgjigj me fjalët: “Don’t touch me”, duke shtuar irritimin e pjesëmarrësve dhe banorëve.

Një banor lokal tha për mediat: “Po na provokojnë. Këtu jemi për të kërkuar përgjegjësi dhe sqarime për veprimet e kompanisë, jo për t’u sulmuar apo provokuar.”
Kryetari i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve, Dritan Shaho, deklaroi se protesta vjen pas një sërë kërkesash të përsëritura nga punëtorët, të cilat nuk janë marrë parasysh nga drejtuesit e kompanisë./Syri.net



