PAMJET/ Rama: Shkolla “Kajo Karafili” në Gështenjas, me kushte për arsim cilësor

PAMJET/ Rama: Shkolla “Kajo Karafili” në Gështenjas, me

Shkolla 9-vjeçare “Kajo Karafili” në fshatin Gështenjas të Pogradecit e ka nisur vitin e ri shkollor duke mirëpritur nxënësit dhe mësuesit me kushte bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ambientet e rilindura të kësaj shkolle me klasa moderne, pajisje bashkëkohore dhe kushte që plotësojnë të gjitha standardet për një arsim cilësor.

Investimet në infrastrukturën shkollore, sipas kryeministrit Rama, “janë pjesë e një programi kombëtar për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke garantuar që çdo nxënës, pavarësisht zonës ku jeton, të ketë mundësinë të mësojë në kushte të barabarta”.

Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Pogradecit 200 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Kajo Karafili” në Gështenjas të Pogradecit kanë nisur vitin e ri shkollor me kushte të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Investimi përfshin ndërtimin e një palestre moderne sportive dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe komunitare. Po ashtu, objekti shkollor është pajisur me sistem ngrohje me kaldajë për të garantuar komoditet gjatë stinëve të ftohta.

Një ndër elementët kryesorë të ndërhyrjes është edhe sistemi i ri elektrik i cili ka zëvendësuar tërësisht instalimet ekzistuese me teknologji më të avancuar dhe të sigurt.

Ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës janë rikonstruktuar në tërësi për të përmbushur standardet e nevojshme infrastrukturore.

Shkolla disponon po ashtu edhe një bazë të re materiale, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e procesit mësimor dhe mbështetjes për nxënësit.

Ky investim është pjesë e angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore të zonave rurale dhe sigurimin e një arsimi cilësor për të gjithë.

EMISIONET