Nunaj: Ulja e borxhit publik në 50% të PBB-së është një objektiv i mundshëm dhe realist

Nunaj: Ulja e borxhit publik në 50% të PBB-së është

Ndërsa qeveria synon të ulë borxhin publik dhe të rrisë të ardhurat pa rritur barrën fiskale, një element vendimtar mbetet mënyra se si do të ndërtohet marrëdhënia me administratën tatimore.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj-Kortoçi, në një intervistë për ATSH-në, thekson rëndësinë e një marrëdhënieje të ndërtuar mbi parimet e transparencës, barazisë dhe respektimit të ligjeve e rregullave. Sipas saj, këto janë themelore për të garantuar kushte të qëndrueshme konkurrence dhe stabilitet ekonomik në periudhë afatgjatë.

Duke komentuar nismën e qeverisë për “paqen fiskale”, Nunaj-Kortoçi shprehet se ndërhyrje të tilla mund të sjellin një lehtësim të përkohshëm, por duhen trajtuar me kujdes për të mos krijuar perceptime që cenojnë disiplinën fiskale.

“Unë besoj në rëndësinë e rregullsisë fiskale. Politikat publike që synojnë harmonizimin e marrëdhënieve mes sektorit privat dhe institucioneve publike duhet të mbështeten mbi zbatimin e drejtë të ligjit dhe trajtimin e barabartë të të gjithë aktorëve në treg”, shprehet Nunaj-Kortoçi.

Sipas saj, çdo politikë që synon të përmirësojë klimën e bashkëpunimit me biznesin duhet të garantojë mbështetje për ata që janë korrekt dhe të sigurojë që masa të veçanta, si amnistitë apo lehtësimet fiskale, të mos krijojnë pabarazi apo të demotivojnë bizneset që kanë vepruar në përputhje me ligjin.

“Është e rëndësishme që çdo masë e ndërmarrë të mos perceptohet si favor për një kategori të caktuar, por të jetë pjesë e një politike më të gjerë që promovon formalizimin, besimin dhe partneritetin mes bizneseve dhe administratës tatimore”, shton ajo.

Nunaj-Kortoçi nënvizon se për të mbrojtur konsumatorin, për të ruajtur konkurrencën e ndershme dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme mes administratës tatimore dhe sektorit privat, prioritet duhet t’i jepet forcimit të disiplinës fiskale dhe konsolidimit të institucioneve.

“Çelësi për të pasur dhe ruajtur një marrëdhënie të drejtë mes administratës tatimore dhe bizneseve është disiplina fiskale”, deklaroi Nunaj-Kortoçi.

Lidhur me objektivin e qeverisë për uljen e borxhit publik në 50% të PBB-së, Nunaj-Kortoçi shprehet se ky është një synim realist, pasi në fund të gjashtëmujorit të parë borxhi publik ishte 54,02% e PBB-së dhe gjatë periudhës 2021–2024 është ulur me mbi 20%.

“Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit aktual, borxhi publik është vlerësuar në 54,02% të PBB-së. Ndërkohë, për periudhën katërvjeçare 2021-2024, borxhi publik në Shqipëri është ulur me mbi 20% në raport me PBB-në. Nëse Shqipëria vazhdon të menaxhojë financat publike me qëndrueshmëri, duke ndjekur një konsolidim të vazhdueshëm fiskal dhe një ekonomi të stabilizuar, dhe duke marrë në konsideratë faktorë si kursi i këmbimit euro-lekë favorizues, vlerësimet pozitive të institucioneve ndërkombëtare për kreditin tonë, si dhe rritjen e vazhdueshme të PBB-së, mund të arrijmë përfundimin se ulja e borxhit publik në 50% të PBB-së është një objektiv i mundshëm dhe realist”, theksoi ajo.

Në vlerësimin e Nunaj-Kortoçit, ky objektiv mund të rrezikohet vetëm në rast të përkeqësimit të treguesve të lartpërmendur, si për shembull nëse do të shfaqen rritje të papritura të borxhit, ulje apo keqmenaxhim të të ardhurave publike, rritje të inflacionit ose faktorë të jashtëm ekonomikë që ndikojnë negativisht në stabilitetin fiskal.

Për investimet publike, Nunaj-Kortoçi thekson se nuk mjafton vetëm niveli prej 5% të PBB-së. Kortoçi shtoi se investimet duhet të shoqërohen me reforma kundër korrupsionit dhe informalitetit, si dhe me politika që rrisin transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve shtetërore.

“Për të nxitur rritjen ekonomike në Shqipëri, nuk mjafton vetëm të investosh, por më e rëndësishme është se ku dhe si investohen paratë publike. Nëse ato fonde përdoren për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, për modernizimin e infrastrukturës publike dhe për mbështetjen e sektorëve që krijojnë vende të reja pune, atëherë mund të themi se investimet publike janë një nga treguesit kyç që kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit. Investimet publike duhet të shoqërohen me reforma të thella për uljen e korrupsionit dhe informalitetit, si dhe me politika që rrisin transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve shtetërore. Vetëm kështu, paratë publike mund të shndërrohen në rritje reale ekonomike dhe përmirësim të jetës së qytetarëve”, deklaroi Nunaj-Kortoçi.

Sa i takon planit për rritjen e të ardhurave me 30 miliardë lekë pa rritur barrën fiskale, Nunaj-Kortoçi theksoi se ky objektiv mund të realizohet përmes reduktimit të informalitetit dhe korrupsionit, si dhe rritjes së profesionalizmit në administratën publike.

“Fjalët kyçe në këtë rast janë: informaliteti, korrupsioni dhe profesionalizmi. Kombinimi i këtyre tre elementëve faktorëve, mund të ndikojë që Shqipëria të ndërtojë një sistem fiskal më të drejtë, më efikas dhe më të qëndrueshëm për zhvillimin e saj afatgjatë ekonomik dhe për t’u përgatitur për integrimin e vendit në BE”, thekson Nunaj-Kortoçi.

Lidhur me standardet e BE-së në menaxhimin e të ardhurave dhe transparencës fiskale, ekspertja shprehet se Shqipëria nuk do të ketë kurrë një moment kur mund të thotë “jam plotësisht gati”.

“Nuk do të vijë ndonjëherë një moment kur Shqipëria mund të thotë: tani jam plotësisht gati për integrim në BE. Sepse gjithmonë do të ketë sfida e probleme të reja për t’u përballuar. Ajo që ka më shumë rëndësi është të ketë vullnet politik për të bërë ndryshime, përgjegjësi në zbatimin e ligjit, meritokraci në përzgjedhjen e njerëzve që drejtojnë dhe profesionalizëm në mënyrën si funksionojnë institucionet dhe menaxhohen politikat publike dhe ato ekonomike në veçanti”, deklaroi Nunaj-Kortoçi.

EMISIONET