Nga kontratat sekrete te “One Albania”, si largimi i Orban po trondit 4iG!

Nga kontratat sekrete te “One Albania”, si largimi i Orban po

Perandoria ekonomike e ngritur gjatë viteve të Viktor Orban po hyn në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Në qendër të furtunës ndodhet 4iG, kompania hungareze që kontrollon sot “One Albania” dhe që gjatë dekadës së fundit u shndërrua në simbolin më të fortë të modelit oligarkik të ndërtuar pranë pushtetit në Budapest.

Për vite me radhë, 4iG u rrit me ritme të frikshme: bleu kompani telekomunikacioni, hyri në sektorin e mbrojtjes, satelitëve, infrastrukturës dixhitale dhe projekteve strategjike shtetërore. Pas kësaj rritjeje qëndronte emri i Gellért Jászai, një nga njerëzit më të afërt me Viktor Orban dhe sot ndër 10 njerëzit më të pasur në Hungari.

Por ardhja në pushtet e Peter Magyar ka ndryshuar klimën politike në mënyrë dramatike.

Qeveria e re ka nisur ofensivë të hapur ndaj kontratave të firmosura në fund të mandatit të Orban, sidomos atyre që konsiderohen si “dhurata” për oligarkët pranë pushtetit.

Në epiqendër ndodhet kontrata marramendëse prej 1.311 trilionë forintësh, ose rreth 4.3 miliardë dollarë, që Ministria hungareze e Mbrojtjes firmosi me 4iG vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare.

Marrëveshja ishte në masë të madhe e klasifikuar dhe parashikonte projekte për modernizimin dixhital të ushtrisë hungareze, sisteme të mbrojtjes, teknologji satelitore dhe platforma ushtarake deri në vitin 2035.

Mediat hungareze e cilësuan kontratën si një nga marrëveshjet më të errëta dhe më të mëdha financiare të viteve të fundit. Vetëm vlera e saj rezulton më e lartë sesa të ardhurat vjetore që Hungaria pret nga tatimi mbi fitimin e korporatave.

Kur skandali shpërtheu publikisht, Peter Magyar reagoi ashpër. “Oligarkët të sillen sikur kjo kontratë nuk ekziston”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se qeveria e tij nuk do të njohë parapagimet e kërkuara nga 4iG dhe se marrëveshja do të auditohet nga e para.

Magyar shkoi edhe më tej, duke akuzuar qeverinë e Orban se kishte tentuar të lidhte duart e qeverisë së re me kontrata sekrete afatgjata.

Ai deklaroi se Hungaria nuk ka nevojë për “satelitë spiunë dhe kontrata për oligarkët”, por për shëndetësi, arsim dhe ekonomi funksionale.

Pas deklaratave të tij, bursat reaguan menjëherë.

Aksionet e 4iG humbën rreth 16% të vlerës brenda pak orësh, ndërsa investitorët nisën të frikësohen se modeli ekonomik i ndërtuar gjatë epokës Orban po shembet.

Por kriza nuk mbaron këtu.

Një tjetër goditje ka ardhur nga fondi investigativ “Hunterbrook”, i cili ka publikuar një analizë kritike ndaj partnerit strategjik të 4iG në industrinë ushtarake, grupit çek “Czechoslovak Group” (CSG).

Sipas raportit, ka pikëpyetje serioze mbi transparencën e kontratave, rrjetin e ndërmjetësve dhe mënyrën se si janë ndërtuar marrëdhëniet financiare të grupit në Azi, sidomos në Indonezi.

Hunterbrook sugjeron se disa prej kontratave miliarda dollarëshe të CSG mund të jenë shumë më pak të diversifikuara sesa pretendohet publikisht dhe të mbështeten në rrjete të paqarta ndërmjetësimi.

Edhe pse raporti fokusohet te industria ushtarake, ai prek indirekt edhe 4iG, pasi kompania hungareze është partner strategjik i CSG në projektet ushtarake në Hungari dhe Europën Qendrore.

Dhe pikërisht këtu hyn Shqipëria.

4iG nuk është thjesht një investitor i huaj në tregun shqiptar. Sot ajo kontrollon “One Albania”, operatorin më të madh celular në vend dhe një nga asetet më strategjike të infrastrukturës dixhitale shqiptare.

Sipas bilanceve financiare të publikuara për vitin 2024, “One Albania” rezulton të ketë mbi 96 milionë euro hua dhe financime direkte nga grupi mëmë hungarez.

Kjo krijon një varësi të konsiderueshme financiare dhe strategjike nga një kompani që aktualisht ndodhet në qendër të krizës politike dhe ekonomike në Hungari.

Nëse hetimet, auditimet apo tensionet politike ndaj 4iG përshkallëzohen, efektet mund të reflektohen edhe në Shqipëri.

Pikërisht në kulmin e kësaj stuhie politike, pronari i 4iG, Gellért Jászai, zhvilloi takime në Tiranë me kryeministrin Edi Rama.

Në fokus ishin zgjerimi i investimeve strategjike në Shqipëri, qendrat e të dhënave, projektet dixhitale dhe kablli gjigant nëndetar “2EAGLE”, që synon të lidhë Egjiptin me Shqipërinë dhe më pas me Europën.

Por ndërsa në Budapest po flitet për kontrata sekrete, oligarkë dhe auditime, pyetja që po shtrohet gjithnjë e më fort është: a po përpiqet 4iG të zhvendosë gradualisht asetet dhe ndikimin drejt Ballkanit për t’i shpëtuar tronditjes në Hungari?

Nëse ofensiva e Peter Magyar vazhdon dhe dosjet e epokës Orban hapen njëra pas tjetrës, pasojat mund të mos ndalen vetëm në Budapest. Ato mund të trokasin shumë shpejt edhe në Tiranë. /Pamfleti

EMISIONET