Në emergjencë për furnizimin me energji deri me 15 prill, do e menaxhojë Ahmetaj, pezullohen investimet nga KESH, OST, OSHEE
Zbardhet vendimi i shpalljes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë, 8 tetor 2021.
Sipas vendimit, vendi do të jetë në kushte të emergjencës të furnizimit me energji elektrike nga sot kur edhe u shpall deri me 15 prill të vitit të ardhshëm.
Për menaxhimin e saj do të ngrihet një grup ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
Ndërkohë Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., do të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.
Këto shoqëri do të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
Sakaq ministri i Financave dhe Ekonomisë ngarkohen që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
"Rama si Sudja pa flokë", Basha: Rritja e çmimeve si pasojë e monopoleve të qeverisë
Ky vendim i qeverisë u publikua në një moment, kur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ishte në konferencë për mediet bashkë me dy nënkryetarët e tij, për këtë çështje por dhe për rritjen e çmimeve në tërësi.
Lulzim Basha, këtë vendim e quan mashtrim, duke theksuar se Rama nuk i ndalon investimet në këto shoqëri pasi automatikisht do të ndalonte pasurimin e klientëve të tij.
"Këta dhe kur kopjojnë çfarë ne propozojmë, nuk e bëjnë e dini ju. E marrin, por nuk e bëjnë. Se që të ndalin shpenzimet luksoze, vjedhjen e OSHEE dhe KESH do të thotë t'i biesh me shkelm njerëzve nga Ard Çela te kush janë tëtjerët mbi tëqë janë aty sepse çojnë valixhet lart e më lart," tha Basha.
Më herët kryeministri Edi Rama, doli dhe foli gjatë për krizën energjitike, duke i mëshuar faktit se ajo vjen për shkak të tregjeve ndërkombëtare. Por edhe në këtë pikë, Partia Demokratike kundërshton.
"Ka mundësi të flas unë tani se e di çfarë është dhe si është. Unë flas për ujkun ti më tregon gjurmët.nuk ka lidhje shteti fare se sa është çmimi në benzinatë. Atë e vednos tregu," tha Rama.
"Edi Rama do ta përdorë këtë situatë, këtë fatkeqësi njësoj si fatkeqësitë e tjera për të mbushur gropat që ai ka hapur në buxhet," tha Basha.
Rama dhe Basha, debatuan në distancë edhe se cili prej tyre ishte “Sudja.”
"Bëje rafsh arkën e shteti se shihemi nesër janë atavizma të kohës së Sudes edhe të Vehbiut," tha Rama.
"Sudja ishte një person që i merrte lekët njerëzve dhe i mbante për vete. Kush është Sudja? Kush është plani i Sudes këto 8 vite? Sudja ka prerë flokët, ka lënë mjekër dhe quhet Edi Rama," tha Basha.
Partia demokratike thotë se sistemi energjitik në vendin tonë është keq menaxhuar. Lulzim Basha, paralajmëroi padi në SPAK për këtë çështje.
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
2. Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
3. Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
4. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

