Mirëmenaxhimi i borxhit publik, Ministria e Financave nxjerr për konsultim publik strategjinë 2025–2029
Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025–2029”, që synon përmirësimin e menaxhimit të borxhit publik dhe financimin e qëndrueshëm të deficitit buxhetor gjatë periudhës 2025–2029.
Strategjia e re fokusohet në uljen e kostove të huamarrjes, reduktimin e ekspozimit ndaj risqeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të titujve shtetërorë, në përputhje me kuadrin makro-fiskal dhe politikat monetare të Bankës së Shqipërisë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur sot se kjo strategji synon të përmirësojë menaxhimin e borxhit shtetëror, si dhe financimin e deficitit buxhetor gjatë periudhës 2025–2029, me qëllim uljen e kostove, eliminimin e risqeve të mundshme, si dhe të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të titujve shtetëror.
Gjatë periudhës 2022–2024, borxhi i qeverisjes qendrore ka ndjekur një trajektore rënëse, duke zbritur nga 64,1% në 54,2% të PBB-së. Rreth 90% e rifinancimeve janë mbuluar nga tregu i brendshëm, me theks të veçantë tek emetimi i titujve afatgjatë.
Në vitin 2024, huamarrja bruto arriti në 404,2 miliardë lekë, nga të cilat 93,6% u siguruan nga burime të brendshme.
Në fund të vitit 2024, borxhi i qeverisjes qendrore u vlerësua në nivelin 1,365.0 miliard lekë ose 54.2% e PBB, duke vazhduar të qëndrojë në trajektoren rënëse të nisur nga viti 2022 e në vijim. Synimi i politikës fiskale për vitet në vijim, është mbajtja e trendit rënës të nivelit të borxhit kundrejt PBB, në përputhje me rregullat dhe parimet fiskale, deri kur ky nivel të arrijë në 45%.
Në programin e qeverisë, paraqitur pak ditë më parë në Parlament, një ndër objektivat strategjikë është ulja e borxhit publik drejt nivelit 50% të PBB-së.
Ministria e Financave synon të vijojë me politikën e zgjatjes së maturitetit të borxhit, reduktimit të titujve afatshkurtër dhe shpërndarjes më të balancuar të maturimeve.
Në strategjinë e re 2025–2029, pritet që tregu i brendshëm të mbetet burimi kryesor i financimit, me përdorimin e Bonove të Thesarit dhe Obligacioneve, duke ruajtur balancën midis kostove dhe risqeve të portofolit.
Shqipëria ka mbajtur vlerësime të qëndrueshme kreditore nga Moody’s dhe Standard & Poor’s, të cilat kanë reflektuar progresin ekonomik dhe reformat institucionale, pavarësisht sfidave strukturore.



