Ministeriali i Procesit të Berlinit, Gonxhja: Ekonomia kreative mund të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në takimin e Ministerialit të Procesit të Berlinit, të Ballkanit Perëndimor, mbi Ekonominë Kreative, që u mbajt në Kotor, të Malit të Zi, ku u shpall Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative.
Ministeriali u zhvillua në drejtimin e të Ngarkuarës Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Zyrës Qendrore të British Council, në prezencë të përfaqësuesve të Bankës Botërore, institucioneve dhe organizatave partnere.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Gonxhja theksoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet pozitive në sipërmarrjet e reja, ekonomi, turizëm, inovacion e teknologji.
“Ekonomia kreative s’është më alternativë, por një motor zhvillimi që mund të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar në ekonomi dhe mbi 70 mijë vende pune në Shqipëri”, tha ai.
Gonxhja, vuri në dukje se, Shqipëria po afirmohet si një aktor me dinjitet në hartën kulturore dhe ekonomike të Evropës, ku ngritja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, siç theksoi ai, “u çmua si një shembull domethënës i qeverisjes në përputhje me agjendën globale të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm e inovativ”.
Raundi i parë i fondeve në kuadër të Paketës së Përkrahjes për Ekonominë Kreative, nis menjëherë, ndërsa i dyti zyrtarizohet në tetor në Londër.


