Mesazhi komprometues nga Amerika Latine: Si u zbulua skandali i mishit të Brazilit

Emisioni “Alert” në Ora News, i moderuar nga Granit Sokolaj dhe i fokusuar te problematikat që prekin konsumatorin, trajtoi këtë të premte çështjen e mishit të gjedhit nga Brazili dhe dyshimet për një skemë rieksporti që përfshin Kosovën dhe Shqipërinë.

Investigimi i prezantuar në emision nisi fillimisht me verifikimet mbi tregtinë e kafshëve të gjalla në Kosovë. Sipas moderatorit Granit Sokolaj, dyshimet u ngritën pas postimeve publike të ish-ministrit të Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci, i cili kishte folur për mospërputhje mes numrit të kafshëve që hynin në territor dhe atyre që rezultonin të therura.

Sokolaj tha se pikërisht kjo disbalancë shifrash ngriti pikëpyetje mbi gjurmueshmërinë e produktit, kontrollin veterinar dhe mënyrën si trajtohen kafshët e gjalla në Kosovë.

Ai deklaroi se gjatë investigimit, redaksia e “Alert” ka zhvilluar komunikime dhe verifikime të shumta, ndërsa më pas në duart e gazetarëve ka rënë edhe një mesazh i dyshimtë nga Amerika Latine.

Sokolaj publikoi përmbajtjen e mesazhit gjatë emisionit, ku flitej për një ngarkesë mishi nga Paraguai dhe për mundësinë e një ngarkese braziliane me dokumente të Kosovës, që mund të mbërrinte më pas në Shqipëri.

“Ne kemi fshirë emrin dhe numrin e personit, por ajo që na ngriti dyshime ishte referimi për mish brazilian me dokumente të Kosovës”, deklaroi Sokolaj gjatë emisionit.

Pas këtij komunikimi, investigimi u fokusua te mishi i gjedhit nga Brazili, i cili sipas “Alert” hyn fillimisht në Kosovë dhe më pas rieksportohet drejt Shqipërisë me dokumentacion kosovar.

Sokolaj deklaroi se institucionet shqiptare kanë dijeni për këtë situatë, por sipas tij nuk kanë ndërmarrë masa serioze për ta ndaluar, për shkak se produkti hyn si rieksport nga Kosova, edhe pse bëhet fjalë për mish nga Brazili ose vende të tjera të Amerikës Latine.

Në emision u theksua se Shqipëria ka ende në fuqi urdhrin ministror nr. 294, datë 13.06.2006, i cili përcakton se mishi i gjedhit dhe i pulës nga Brazili mund të importohet vetëm nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian.

“Alert” ngriti shqetësime mbi kontrollin veterinar, gjurmueshmërinë e produktit dhe transparencën institucionale, duke paralajmëruar se problematika të tilla prekin drejtpërdrejt sigurinë ushqimore dhe konsumatorët në Shqipëri dhe Kosovë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

EMISIONET